Senatorja amerikane në Tiranë, pritet nga Presidenti Begaj: Bashkëpunim në të gjitha nivelet

Senatorja amerikane Jeanne Shaheen, ndodhet në një vizitë zyrtare në Tiranë. Senatorja është pritur në një takim nga Presidenti Bajram Begaj, ku pjesë e takimit kanë qenë edhe ambasadorja e SHBA-së Yuri Kim, si dhe përfaqësues nga Senati amerikan.

Begaj e vlerësoi vizitën e Senatores Shaheen në Tiranë si vijim i shprehjes së vëmendjes dhe interesit të lartë të Shteteve të Bashkuara për Shqipërinë dhe shqiptarët, si dhe nënvizoi se kjo vizitë merr një vlerë të shtuar pasi zhvillohet në kuadër të kremtimeve të 100-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Begaj po ashtu nënvizoi se pas agresionit ushtarak rus në Ukrainë si dhe kërcënimeve e sfidave të reja me të cilat po përballet bota dhe rendi aktual botëror, nevoja e një bashkëpunimi e koordinimi sa më të ngushtë e në të gjitha nivelet bëhet edhe më i domosdoshëm.

Kreu i shtetit shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Shqipërisë në tre dekadat e fundit, si dhe vlerësoi në mënyrë të veçantë mbështetjen e tyre shumë domethënës në kuadër të forcimit të shtetit ligjor, reformës së thellë në drejtësi dhe konsolidimin e institucioneve demokratike.

Po Begaj shprehu mirënjohjen edhe për ndihmën e menjëhershme të dhënë nga agjencitë e specializuara të Shteteve të Bashkuara në përballimin e sulmeve kibernetike të aktorëve të lidhur me agjencitë shtetërore iraniane, që synuan dëmtimin e infrastrukturës së shërbimeve qeveritare online dhe destabilizimin e vendit.

SHKARKO APP