Serbët ironizojnë kryeministrin Rama: Është eksperti më i madh në Europë!
Emisioni ‘Top Story’ në Top Channel ka sjellë këtë të mërkurë një emision lidhur me problemet e shqiptarëve në Komunën e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.
Gjatë vizitës në qytetin e Bujanocit, gazetarët kanë pyetur qytetarët serbë se çfarë mendimi kanë për kryeministrin Rama.
“Edi Rama… ju e njihni më mirë. Ai po bëhet moder më tepër se çduhet me veshjet e tij. Nuk shkohet me atlete në mbledhje. Duhet të veshë këpucë”, thotë një i moshuar.
“Bashkimi i Bujanocit me Kosovën do të jetë gjë e mirë sepse ashtu ka thënë Edi Rama. Dhe ai është eksperti më i madh në Europë”, pohon një tjetër banor.
Në qendër të Bujanocit ka më pak shqiptarë, pasi pjesa më e madhe e tyre jetojnë në fshatrat përreth. Rinia shqiptare nuk e gjen veten askund, kryesisht bëjnë punë të rëndomta dhe pjesa më e madhe e tyre largohen në vendet e Bashkimit Europian.
Bashkimi me Kosovën, për ta është një diskutim për të tërhequr vëmendjen nga problemet reale të shqiptarëve.