Sërish kontrolle, Policia e Shtetit zbarkon në kampin e muxhahedinëve
Mëngjesin e kësaj të enjte Policia e Shtetit ka zbarkuar sërish në kampin e muxhahedinëve në Manëz të Durrësit.
Sipas raportimeve në media forcat e policisë janë vendosur në hyrje të kampit Ashraf 3 dhe kontrollojnë të gjithë mjetet që dalin nga kampi.
Kujtojmë se një javë më parë policia me urdhër të SPAK ushtroi kontrolle në këtë kamp.
Kontrollet u shoqëruan me tensione dhe përplasje mes forcave të policisë dhe muxhahedinëve.
Përfaqësues të MEK akuzuan efektivët e policisë për dhunë, ndërsa po ashtu pretenduan se efektivët i morën jetën një anëtari të tyre përmes gazit lotsjellës, ndërkohë që shkaqet e vdekjes së personit në fjalë ende nuk janë përcaktuar nga ekspertiza.
Sipas SPAK, dyshohet se organizata “MEK”, e vendosur në Manzë, ka kryer sulme kibernetike ndaj Republikës Islamike të Iranit në periudha të ndryshme kohore.