Sezoni, Kumbaro në Velipojë: Dyfishojmë ekipet për pastrimin 24 orë të bregdetit. Beci: Sot kemi një pamje të re

Në vijim të turit inspektues në nisje të sezonit turistik veror 2024, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit zhvilloi disa takime në Shkodër, bashki që këtë vit do të mbështetet nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit në pastrimin e bregdetit, si pjesë e operacionit “Plazhe të Pastra”.

Kumbaro inspektoi vijën bregdetare të Velipojës e shoqëruar nga kryetari i bashkisë Shkodër, Benet Beci dhe ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali.

“Pasi kemi bërë gjithë punën koordinuese mes dy ekipeve për sa i përket operacionit “Plazhe të pastra” që fillon që me 15 qershor deri më 15 shtator. Jam shumë e kënaqur që e mbështesim bashkinë e Shkodrës këtë vit duke dyfishuar gjithë forcat edhe ekipet njerëzore e pajisjet me pastrimin 24 orë në 24 në të shtatë ditët e javës në gjithë vijën e bregdetit. Është për t’u përgëzuar që kur e krahasoj me dy vite më parë, është një pamje komplet tjetër, sidomos për sa i përket çlirimit të hapësirave publike duke nisur nga kjo shëtitore”, u shpreh ministrja Kumbaro.

Kryetari i bashkisë Shkodër, Benet Beci tha se bashkëpunimi me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit përmes Agjencisë Kombëtare të Bregdetit për pastrimin e vijës bregdetare, do ta ndihmojë Velipojën të arrijë standarde maksimale të pastërtisë këtë sezon.

“Lirimi i hapësirave publike ka krijuar një lloj pastrimi të mbetjeve që ka pasur përgjatë shëtitores. Sot kemi 40% plazhe publike dhe kemi krijuar një model të administrimit të plazhit publik që do të aplikohet edhe në 5 të tjera. Bashkëpunimi me Ministrinë për çështjen e pastrimit është diçka e domosdoshme dhe besoj këtë vit do të kapim standardet më të larta”, u shpreh kryebashkiaku i Shkodrës.

Ministrja Spiropali vuri në dukje rritjen turistike të shpejtë të Shkodrës si dhe rritjen e shërbimeve e investimeve në këtë sektor. Operacioni “Plazhe të Pastra” ka hyrë në vitin e tretë të tij dhe gjatë këtij sezoni veror do të mbështesë 7 bashki në pastrimin e plazheve: Himarën, Sarandën, Vlorën, Rrogozhinën, Kavajën, Durrësin dhe Shkodrën.

SHKARKO APP