Shahini: Shkollat hapen vetëm për maturantët. Të tjerët mësim online
Ministrja e Arsimit, Besa Shahini përmes një video konference live në facebook, tha se shkollat në Shqipëri do të rihapen në shtator. Viti shkollor 2019-2020 do të mbyllet për shkak të virusit. Shkollat do të hapen më 18 maj deri në 5 qershor për maturantët që të përgatiten për provimet e fundit. Sipas ministres Shahini do të anulohen provimet e klasës së pestë dhe të lirimit.
“Ky vit shkollor do të mbyllet në qershor 2020, provimet e maturës shtetërore do të mbahen mes datës 8-18 qershor 2020. Kjo na jep mjaftueshëm kohë për të përgatitur diplomat për maturantët që duan të studiojnë jashtë vendit. Provimet e klasës së 5 dhe të 9 do të anulohen. Klasa e 9 nuk e mban të njëjtën peshë si ato të maturës dhe nuk mund të sigurojmë kushtet për kthimin e nxënësve në shkollë. Elementi i tretë është që provim i maturës për maturantë kemi vendosur të hapim shkollat vetëm për klasën e 12 për një periudhë 3 javore nga 18 maj-5 qershor. Klasa e 1-11 deri në fund të majit dhe mësimi online për to do të mbyllet 2 javë më herët”.
Shahini iu përgjigj shqetësimit të prindërve që nëse dëshirojnë që fëmijët e tyre të përsërisin këtë vit shkollor e kanë të lejueshëm, por duhet të njoftojnë më herët. E njëjta thirrje vlen edhe për maturantët. Në lidhje me nisjen e vitit të ri shkollor 2020-2021, ministrja Shahini tha se në shtator do të bëhet përsëritja e mësimeve online para se të vazhdohet me kurikulën e vitit të ri shkollor 2020-2021.
Vendimi i Ministrisë së Arsimit për shkollat
1. Nga data 18 maj deri në 5 qershor hapen shkollat për maturantët me rregullat e distancimit
2. Nga data 8 deri në 18 qershor provimet e maturës
3. Te provimet e maturës nuk do të përfshihen temat e zhvilluara në kushte shtëpie
4. Provimet e klasës së 5-të dhe të 9-të do të anulohen
5. Mësimi për klasat, nga e para deri te e 11-ta vazhdon deri në 29 maj nga shtëpia
6. Dy javët e para të qershorit mësuesit do të nxjerrin notat
7. Kush do të përsërisë vitin shkollor të lajmërojnë
8. Në shtator do të përsëriten të gjitha temat që janë zhvilluar online