SHBA, 700 miliardë dollarë për të mbrojtur ekonominë nga koronavirusi
Shtetet e Bashkuara kanë ulur normat e interesit në pothuajse zero dhe kanë lansuar një program stimulues, në vlerë prej 700 miliardë dollarësh, në përpjekje për të mbrojtur ekonominë nga efektet e koronavirusit.
Ky veprim është pjesë e masave të koordinuara, të ndërmarra të dielën edhe në Mbretërinë e Bashkuar, Japoni, Eurozonë, Kanada dhe Zvicër.
Kryetari i Rezervave Federale në SHBA, Jerome Powell, tha se pandemia e koronavirusit është duke pasur ndikim “të thellë” në ekonomi.
“Parashikimi ekonomik evoluon çdo ditë dhe varet nga përhapja e virusit… Kjo nuk është diçka që dihet”, tha ai.
Rezervat Federale i kanë ulur normat në një gamë prej 0 në 0.25 për qind dhe kanë thënë se do të nisin me blerjen e bonove – një veprim ky që pompon para drejtpërdrejt në ekonomi.
Edhe Banka Qendrore e SHBA-së i ka ulur normat e interesit me gjysmë pike për qind, pas një takimi urgjent më 3 mars.
Tregjet e aksioneve kanë rënë ndjeshëm ditëve të fundit nga frika se paraliza ekonomike do të shkatërrojë fitimet e korporatave dhe do të nxisë recesion global.