“SHBA admirojnë partneritetin dhe kontributin e Shqipërisë për sigurinë”, Lindita Nikolla u prit nga Asistent Sekretare e Shtetit, Michele J. Sison
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla u prit sot në Departamentin e Shtetit nga Asistent Sekretarja për Organizatat Ndërkombëtare. Michele J. Sison. Nikolla nënvizoi se partneriteti strategjik me ShBA është një gur themeli i politikës së jashtme të Shqipërisë.
Ky partneritet është konkretizuar në bashkëpunimin për çështje të ndryshme të zhvillimeve ndërkombëtare, në KS të OKB-së, si bashkëpenëmbajtëse për mbështetjen e Ukrainës, mbështetjen e Izraelit, luftën kundër terrorizmit, sigurinë kibernetike, refugjatët iranianë dhe afganë, mbështetjen e integrimit në Ballkanin Perëndimor dhe lidershipin e Procesit të Berlinit.
Po ashtu kryeparlamentarja Nikolla shprehu mirënjohjen ndaj ShBA për avancimin e reformave demokratizuese dhe integruese në Shqipëri, luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe kulturës së pandëshkueshmërisë dhe mbështetjen e Kuvendit për thellimin e tyre. Kryetarja Nikolla vuri në dukje se Shqipëria është në një linjë me ShBA dhe BE për depërshkallëzimin e situatës në Veri të Kosovës, dialogun Kosovë-Serbi dhe normalizimin e marrëdhënive mes tyre si kusht për paqen dhe sigurinë në rajon.
Asistent Sekretarja e Shtetit, Michele J. Sison nënvizoi se partneriteti ShBA-Shqipëri i shërben paqes dhe popujve. ShBA admirojnë lidershipin e fortë të Shqipërisë në KS dhe bashkëpunojmë për mbrojtjen e paqes. Në Këshillin e të Drejtave të Njeriut punojmë bashkarisht për të drejtat e njeriut në mbarë botën. Në UNESCO jemi të angazhuar për mbrojtjen e thesareve kulturore të njerëzimit.
ShBA-ja vlerëson qëndrimet parimore të Shqipërisë, si një partner i jashtëzakonshëm për zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe sigurinë në botë. Zgjedhja e Shqipërisë në 10 tetor si anëtare e Këshillit të të Drejtave të Njeriut ishte një sukses i jashtëzakonshëm për dy vendet tona, sepse agjenda e të drejtave të njeriut po ndërlikohet në mjaft vende e rajone të botës.