SHBA: BE të nisë bisedimet me Shqipërinë brenda vitit
Zv/ndihmës-Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, njëherësh i dërguari për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, thotë se administrata e presidentit amerikan, Joe Biden ka dyfishuar përkushtimin amerikan për të punuar me aleatë dhe partnerë që Ballkani Perëndimor të avancojë në rrugën evropiane.
Në një dëshmi para Nën-Komitetit të Dhomës së Përfaqësuesve për Evropë, Energji dhe Ambient, ai ka thënë se autoritetet amerikane janë duke punuar me partnerë të Bashkimit Evropian për të përforcuar mesazhin se anëtarësimi mbetet mundësi brenda afateve realiste kohore, më pas shtysë për kryerjen e reformave, si dhe për forcim të rezistencës ndaj ndikimit rus dhe kinez në prag të Evropës.
“Mesazhi më i fuqishëm që mund të japë tani BE-ja është që të caktojë nisjen e bisedimeve për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, para fundit të këtij viti”.
Sipas tij, vonesat në këtë drejtim mund të nxisin dyshime dhe rrezikojnë të shkatërrojnë shpresat e një brezi të ri për të ardhmen evropiane. Për këtë ai ka thënë se Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken dhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, kanë dalë me komunikatë të përbashkët, më herët gjatë këtij muaji, për të theksuar se anëtarësimi në bllokun evropian është rruga e vetme përpara për rajonin.