SHBA dëbon përgjithmonë nga industria farmaceutike Martin Shkrelin. Shqiptari dënohet me 64.3 milionë dollarë gjobë
Martin Shkreli, sipërmarrësi farmaceutik shqiptaro-amerikan i akuzuar për rritjen astronomike të çmimit të një ilaçi që shpëton jetën, është përjashtuar përjetë nga industria farmaceutike dhe është gjobitur me 64.6 milionë dollarë nga një gjykatë amerikane.
Shkreli ishte shefi ekzekutiv i Turing Pharmaceuticals, një kompani që në vitin 2015 rriti çmimin e Daraprim, një ilaç që përdoret për trajtimin e Sidës, malaries dhe kancerit, me më shumë se 5000% dhe bllokoi konkurrentët gjenerikë.
Skandali që pasoi arriti të bashkonte Donald Trump dhe rivalen e tij presidenciale të atëhershme, Hillary Clinton, në dënim. Trump e quajti Shkrelin një “djalosh të llastuar” dhe Clinton kritikoi ashpër rritjen e çmimit nga ai.
Gjykatësja e qarkut amerikan Denise Cote në Manhatan vendosi pas një gjyqi ku Komisioni Federal i Tregtisë i SHBA dhe shtatë shtete kishin akuzuar Shkrelin, themeluesin e Vyera Pharmaceuticals, për përdorimin e taktikave të paligjshme për të mbajtur rivalët jashtë tregut.
Në një vendim prej 130 faqesh, Cote fajësoi Shkrelin për krijimin e dy kompanive, Vyera dhe Retrophin Inc, të dizajnuara për të monopolizuar barnat, në mënyrë që ai të mund të përfitonte “mbi kurrizin” e pacientëve, mjekëve dhe shpërndarësve, raporton Reuters.