SHBA fton për gjithpërfshirje në luftën kundër korrupsionit
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara, Donald Lu tha në Elbasan se duhet që korrupsioni si “fenomen negativ të goditet sa më parë”
Denion Ndrenika
Shtetet e Bashkuara thonë se angazhimi i shoqërisë civile në luftën kundër korrupsionit është një mjet shumë i fortë.
“Korrupsioni na dëmton të gjithëve, prandaj duam që ky fenomen të marrë fund. Mjeti më i fortë kundër korrupsionit është shoqëria civile”-tha ambasadori amerikan Donald Lu.
Zoti Lu i bëri komentet në Elbasan ku mori pjesë në një veprimtari bashkë me nxënës të gjimnazeve me moton “Korrupsioni vret të ardhmen tonë”.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara tha se duhet që korrupsioni si “fenomen negativ të goditet sa më parë”.
Veprimtaria është pjesë e projektit të ambasadës amerikane me nxënësit e shkollave të mesme për ndërgjegjësimin kundër korrupsionit në të gjitha shfaqjet.
“Më bëri shumë përshtypje ajo që pashë sot, nxënësit kanë bërë përpjekje të jashtëzakonshme për këto projekte dhe mesazhi është i qartë dhe i fortë: Korrupsioni na mundon të gjithëve dhe ai duhet të marrë fund”-tha zoti Lu pasi përcolli disa shfaqje të paraqitjes nga nxënësit të korrupsionit në drejtësi, shëndetësi dhe arsim.
“Një nga mjetet më të fuqishme për të luftuar korrupsionin është një shoqëri civile aktive, nxënësit, OJQ-të, mediat dhe qytetarët e zakonshëm. Shqiptarët e guximshëm tani janë duke thënë mjaft më, kjo kulturë e korrupsionit duhet të marrë fund sot dhe kjo fillon nga unë”-vijoi zoti Lu.
“Projekti qytetar”, sipas ambasadorit Lu, “është program i konceptuar për edukimin e brezave të rinj me mënyrën se si funksionon demokracia”.
Në takimin me gjimnazistët elbasanas, Koordinatori Kombëtar Kundër Korrupsionit, Bledi Çuçi tha se “korrupsioni luftohet edhe nga shoqëria dhe jo vetëm nga qeveria”.
“Strategjia jonë për luftën ndaj korrupsionit është edukimi. Jam entuziast që brezi i ri po e konsideron korrupsionin çështjen themelore për t’u luftuar”-tha Çuçi, njëherit ministër për Pushtet Vendor.
Kurse, ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla u zotua siç tha “në emër të mësuesve dhe nxënësve” se “e refuzojmë korrupsionin”.
“Jam e angazhuar personalisht që ta fitojmë këtë betejëJu e keni filluar luftën dhe betejën ndaj korrupsionit, ndaj dhe kam ardhur në shkollën “Kostandin Kristoforidhi” për të parë nga afër rezultatet dhe te nisim më pas në tërë qytetin e Elbasanit një anketim per rastet që nuk ishin të pakta, që mësues në kundërshtim me kodin e etikës zhvillonin mësimin edhe në klasat ku ishin nxënësit e tyre”-shtoi ajo.
*ILLYRIA