SHBA, thirrje amerikanëve që të largohen nga Ukraina: Situata mund të përkeqësohet në çdo çast!
Ambasada amerikane në Kiev u ka bërë thirrje amerikanëve në Ukrainë që ta shohin mundësinë e largimit nga vendi, duke pasur parasysh situatën e “paparashikueshme”.
Tensionet midis Ukrainës dhe Rusisë janë rritur pasi kjo e fundit ka vendosur mijëra trupa pranë kufirit, duke e rrethuar Ukrainën nga veriu, lindja dhe jugu.
“Situata e sigurisë në Ukrainë vazhdon të jetë e paparashikueshme për shkak të rritjes së kërcënimit nga veprimi ushtarak rus dhe mund të përkeqësohet në çdo kohë”, tha Ambasada amerikane në Kiev.
“Ambasada amerikane u bën thirrje shtetasve amerikanë në Ukrainë që ta konsiderojnë mundësinë që të largohen përmes mundësive të transportit komercial apo privat”, u tha në deklaratën e lëshuar më 26 janar.
Më herët gjatë javës, Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi se do të tërheqë një pjesë të stafit të ambasadës në Kiev dhe familjarët e tyre./REL