Shefja diplomacisë gjermane për Ballkanin: Kushtet që bllokuan Shqipërinë për negociatat

Sussane Shutz, drejtore për Ballkanin në diplomacinë gjermane dhe ish-ambasadore në Shqipëri, ka zbardhur të vërtetën e bllokimit të negociatave për Tiranën nga disa shtete anëtare si Franca, Holanda dhe Greqia.

Shultz ka hedhur dritë mbi 15 kushtet e paplotësuara të Bundestagut që sipas saj tani janë kushte edhe të shteteve anëtare pjesë e Këshillit Evropian. Ndër më kryesoret që shqetësojnë francezët, holandezët dhe gjermanët janë ligji zgjedhor, ai për antishpifjen dhe mosplotësimi me anëtarë, sidomos i Gjykatës Kushtetuese.

“Kushtet e paraqitura në rezolutën e Bundestagut tashmë janë përfshirë në konkluzionet e 24 Marsit të Këshillit Evropian. Ndër çështjet e ngritura në mbledhjen e fundit të ministrave të Jashtëm është ligji i ri Zgjedhor, ai për Mediat dhe vënia në funksion të plotë e Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë. Janë edhe shtete të tjera përveç Gjermanisë që kanë shqetësime për këto çështje. Së pari është Holanda që ka pozicion strikt pasi ata argumentuan se aktualisht ata nuk miratojnë mbajtjen e një konference ndërqeveritare këtë vit. Kemi po ashtu Francën që paraqiti disa çështje dhe po ashtu edhe Greqia. Ne shpresojmë që autoritetet shqiptare të bisedojnë me këto shtete dhe të garantojnë që kushtet do t’i plotësojnë në fillim të vitit 2021 dhe shqiptarët të mos presin për një kohë të gjatë. Na mbetet të shihet nëse autoritetet shqiptare i realizojnë këto kushte për disa jave apo do t’ju duhen disa muaj”,- tha Sussane Shutz për Klan Plus.

Greqia priste seancën parlamentare të 19 Nëntorit, e anuluar tashmë për shkak të koronavirusit ku do të miratohej ligji për censusin e popullsisë dhe banesave ku qytetarët do t’u duhet të deklarojnë përkatësinë etnike fetare dhe gjuhën që flasin. Ky  kusht së bashku me të drejtën e pronave të minoritarëve shqetëson Athinën në rrugën e integrimit evropian të Shqipërisë.

SHKARKO APP