Shefqet Kastrati jep 1.5 milionë euro për familjet e dëmtuara nga tërmeti
Biznesmeni i njohur Shefqet Kastrati, i cili është dhe administrator i “Albanian Highway Concession” kompania që menaxhon “Rrugën e Kombit”, në një mesazh publik njofton se që pas tërmetit ka dhënë urdhër që kushdo që sillte ndihma në Shqipëri të mos paguajë taksën e kësaj rruge.
Në mesazhin e tij për qytetarët duke shprehur dhimbjen për viktimat e tërmetit, Kastrati bën me dije se ka dhuruar 1.5 milionë euro për familjet e dëmtuara nga tërmeti.
Mesazhi i plotë i Shefqet Kastratit:
“Tragjedia Shqiptare më ka tronditur thellësisht mua dhe familjen time, bashke me vëllezerit e mi.
Jemi munduar të ndihmojmë e të lehtësojmë sa mundemi këto ditë. Si gjithnjë – pa zhurmë.
E kam dhënë në çast urdhrin e mosmarrjes së asnjë kokërr leku nga askush që ka kaluar nëpër Rrugën e Kombit për ndihmë.
Pa bërë asnjë publicitet, sepse gjithmonë kam ecur me parimin: “Kur ndihmon një rob të Zotit në nevojë, duhet ta shohë veç ai lart!”.
Unë dhe familja ime kemi ndarë 1.5 milionë euro që kjo dhimbje e madhe që të lehtësohet sado pak. Vendosëm ta bëjmë publik kontributin tonë për familjet e tërmetit vetëm që t’i bëjmë thirrje atyre që kanë më shumë se të tjerët: Kjo s’është dita të kurseje asgjë shqiptari që ka shumë për shqiptarin që ka humbur gjithçka!
Ngushëllime familjarëve që humbën njerëz në këtë katastrofë dhe Zoti i Madh qoftë me Shqipërinë e plagosur!”.
KOHA JONË SONDAZH

