”Shefqet Ndroqi” kërkon hetim për sanitaren: Akt korruptiv e çnjerëzor
Pas skandalit të publikuar në emisionin ”Stop”, ku sanitarja e spitalit Covid 2 (Shefqet Ndroqi) hiqej si infermiere dhe i kishte marrë nën dorë 8 milion lekë një vajze që në këmbim të kujdesej për nënën e saj e shtruar pasi ishte me Covid-19, ka ardhur reagimi i ashpër i spitalit. Spitali është distancuar nga veprimet e sanitares, ku nënvizon se ky akt i shëmtuar dhe i papërgjegjshëm nuk mundet kurrsesi të njollosë punën vetëmohuese dhe të jashtëzakonshme të personelit shëndetësor. Mbrëmjen e 12 janarit në emisionin ”Stop”, u raportua se sanitarja ka mashtruar duke u hequr si infermiere familjarët e një 55-vjeçare, shtruar në spitalin Covid2.
Vajza e pacientes, e cila ka ndërruar jetë, denoncoi sanitarja, duke u hequr si infermiere, i ka marrë rreth 8 milionë lekë të vjetra për shërbimet ndaj nënës së saj. Menjëherë pas lajmit, ministria ka dënuar aktin dhe kërkon shkarkimin e sanitares. Mëngjesin e së mërkurës, sanitarja u arrestua pasi akuzohet për mashtrim.
”Personeli shëndetësor i spitalit “Shefqet Ndroqi” ndjehet tejet i lënduar, befasuar nga veprimi korruptiv, ç’njerëzor i sanitares me inicialet T.A dhe dënon me forcë këtë akt të paligjshëm, korruptiv i bërë publik në emisionin investigativ ”STOP”. Ky akt i shëmtuar dhe i papërgjegjshëm nuk mundet kurrsesi të njollosë punën vetëmohuese dhe të jashtëzakonshme të personelit shëndetësor të spitalit “Shefqet Ndroqi”. Personeli shëndetësor i spitalit duke u distancuar nga ky veprim do të vazhdojë të ofroj me përkushtim shërbimin shëndetësor në kohë dhe me cilësi. Mbas shkarkimit nga puna e sanitares i kërkojmë autoriteteve kompetente të kryejnë hetimin deri në fund të këtij rasti. Personeli i shërbimit shëndetësor ‘Shefqet Ndroqi'”, thuhet në reagimin e spitalit “Shefqet Ndroqi”.
Prokuroria i është drejtuar Gjykatës së Tiranës me një kërkesë ku kërkon për të masën “arrest me burg”. Kërkesa është bërë nga prokurori i çështjes Bledar Vatnikaj, i cili ka kërkuar këtë masë për akuzuën e referuar nga policia atë të mashtrimit. Mësohet se 58-vjeçarja nuk ka pranuar të japë shpjegime para përfaqësuesit të akuzës duke rezervuar të drejtën për tu shprehur dhe për të bërë deklarime në një moment të dytë. Menjëhere pas regjistrimit të çështjes prokuroria ka sekuestruar aparatet telefonike të denoncueses por të pandehuerës por edhe të përsonave të tjerë të dyshuar si të përfshirë në këktë skandal.