Shehi: Arrestimi i Nanos qesharak me atë çfarë po ndodh sot me zyrtarët tanë
Pranimi i gabimeve të qeverisjes së djathtë nga kryetari i Partisë demokratike Lulzim Basha, për kryetarin e Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi, është deklarata më e madhe politike që nuk është artikuluar asnjëherë nga asnjëri prej liderëve në Shqipëri gjatë këtyre viteve.
Në një intervistë Report Tv, teksa ka folur për opozitën dhe drejtimin që ajo po merr, Shehi vlerëson se opozita ka strategji dhe mundësitë reale, për të fituar në zgjedhjet e vitit të ardhshëm, por shpreson që opozita të ketë edhe njerëzit e duhur, sepse, sipas tij, ky është dhe problemi i saj.
Kreu i LZHK ka komentuar marrëdhëniet Berisha-Basha, reformën në drejtësi, marrëdhëniet e PD me ndërkombëtarët specifikisht me Ambasadën Amerikane.
“Na kanë kontaktuar për të marrë mendime, por nuk ka pasur presion për votën. Amerika është vend i madh edhe serioz. Shpesh politika shqiptare është munduar ta keqpërdorë linjën e Amerikës, por ata kanë pasur gjithnjë një linjë të ftohtë dhe të pandikuar. Ka interpretime të ndryshme bazuar në interesa, por SHBA Nuk është me asnjë palë, ata janë me interesat e veta në Ballkan. Raporti preferencial vjen ngaqë e majta është në qeveri dhe bashkëpunimi është më i hapur me qeverinë. Deri para 5 viteve bashkëpunonin lumturisht me qeverinë. Basha duhet të bëjë gati një strategji fitimtare për zgjedhjet dhe një grusht njerëzish që ta kenë fytyrën e pastër”- tha Shehi.
Duke marrë shkas nga ky pasqyrim i situatës, kreu i LZHK-së do të pyetej edhe rreth arrestimit të ish-kreut të opozitës së majtë së atëhershme Fatos Nano, për të cilin Shehi theksoi se arrestimi erdhi për një aferë korruptive, duke mos mohuar edhe prapavijën politike.
Por duke bërë krahasimin e nivelit të korrupsionit, Shehi thekson se arrestimi i ish-liderit socialist ngja qesharak me atë çfarë po ndodh sot në nivelet e larta. “Për një aferë korruptive. Për të qenë i sinqertë ka pasur edhe prapavijë politike. Me këtë që ka ndodhur sot në Shqipëri gjykoj se ajo për të cilën vuajti Nano burgun ishte qesharake”- tha Shehi.
KOHA JONË SONDAZH

