Shehi: Kemi rezistuar, por jo fituar

 

Kryetari i LZHK-së, Dashamir Shehi komenton rezultatin e zgjedhjeve. Ai thekson se objektivi i kërkuar nga opozita nuk u realizua edhe pse pritshmëritë, sipas tij, nuk kanë qenë të mëdha

Kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi nuk sheh ndonjë fitore të opozitës në këto zgjedhje, përveçse rezistencë.

“Ditën e fundit të mitingut unë kam thënë që ne do të rezistojmë dhe do të fitojmë. Tani rezistencën e kemi bërë, por fitorja është për herën tjetër, në vitin 2017. Objektivi ynë ishte që të merrnim 20 njësi bashkiake. Ka pasur njerëz që kanë menduar se nuk do të merrnin as pesë njësi bashkiake. Fitorja është larg, kështu që nuk ka asgjë për të pasur entuziazëm. Absolutisht. Kjo në fund të fundit ishte kronika e një rezultati të paralajmëruar. Nuk kam pritur të papritura të mëdha këtu. Sepse diferencat kanë qenë të mëdha në zgjedhjet politike…”, tha dje Shehi për Tv “Klan”.

Kryetari i LZHK-së shfaqet kritik edhe për rezultatin që PD-ja ka marrë për këshillat bashkiakë që, për hir të së vërtetës është më i dobëti i marrë deri më sot në zgjedhje lokale. Për këtë rezultat ai sheh shumë faktorë.

“Sistemi zgjedhor ka ndryshuar në vetvete. Mënyra e përqasjes ndaj votës ka ndryshuar, ku sot kemi 60 parti që në mënyrë sistematike gërryejnë këtë pushtetin lokal … 3-14% e votave janë të shpërndara të gjitha në këta buburrecat e vegjël që hanë te buka e përbashkët e pushtetit. Unë gjykoj se ka ardhur dita që ta shohim këtë situatë. Kjo lloj formule që pretendon se i barazon qytetarët i bën dëm në fakt demokracisë shqiptare”, – tha ai.

Tjetër këndvështrim sjell Shehi kur flitet për rezultatin që mori kandidati i opozitës për Bashkinë e Tiranës, Halim Kosova. Rezultatet që kanë prodhuar nga kutitë e numëruara kanë nxjerrë në pah faktin se kundërshtari i Veliajt në këtë garë, kandidati i opozitës, Halim Kosova ka marrë 30 mijë vota më shumë sesa vetë koalicioni që e propozoi. Një fakt ky që u evidentua dje edhe nga Shehi, duke e interpretuar këtë rezultat si një fitore morale për Kosovën.

“Kosova ka dalë fitimtar në këtë mes, sepse është 30 mijë vota mbi koalicionin e vet dhe solli edhe një shkollë të re politike që përtej partive mund të kandidojë edhe një kandidat, edhe një personazh, kështu që nga kjo pikëpamje unë mund të them se moralisht ai ka pasur një rezultat pozitiv, se Tirana është nisur me 90 mijë vota prapa. Por për ta ngjitur maloren e Tiranës, kuptohet që duhet një mbështetje më e madhe në bazë sesa një individ i vetëm…”, – tha ai.

Këto zgjedhje, opozita nuk ka marrë rezultat pozitiv. Me një koalicion të cunguar, ku dy forca të konsiderueshme politike si PDIU-ja dhe PDK-ja kaluan me koalicionin qeverisës, opozita ka arritur të sigurojë vetëm 423 mijë vota. Nga këto, deri më tash PD ka marrë 267 mijë vota ose 19.55 % të votave në rang kombëtar. Sërish në këtë koalicion e dyta rezulton të jetë PR-ja, e cila ka marrë 43110 vota dhe pas saj vjen LZHK-ja me 17 050 vota. Për pasojë, analizën e humbjes, Shehi e konsideron jetike për të ardhmen e opozitës në zgjedhjet parlamentare të 2017-s. Ai gjithashtu  këshillon që opozita të dalë me platformë dhe ide të reja.

“Analiza bëhet nga shtatori. Nuk bëhet në kohë vape. Tani dominon pasioni në këtë çështje. Duhet filluar një proces i analizave në gjithë kampin opozitar, por duhet filluar edhe një proces tjetër i rishikimit të një platforme, jo tërheqje për të mbrojtur idetë e vjetra, qeverinë e vjetër, por ide të reja të Shqipërisë së sotme për të nesërmen. Kjo është analiza për të afruar një platformë morale politike për dy vjetët e ardhshme. Të shkojmë t’i hipim një kali që është kalë race, që të hyjmë në garë”, – tha ai.

Lidhur me rezultatin e marrë për Bashkinë e Durrësit, kryetari i LZHK-së tha se duhen marrë në konsideratë të gjithë faktorët.

SHKARKO APP