Shehu: Djallëzia e Ramës sot nga Firence, vë në dyshim origjinën europiane dhe të ardhmen në BE të Shqipërisë

Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike në Qarkun e Gjirokastrës, Tritan Shehu, ka reaguar lidhur me vizitën që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, po zhvillon në Itali.

Përmes rrjeteve sociale, Shehu shprehet se me djallëzinë e tij sot nga Firenece, Rama vë në dyshim origjinën europiane dhe të ardhmen në BE të Shqipërisë.

“Djallëzia e Ramës sot nga Firence – vë në dyshim origjinën europiane dhe të ardhmen në BE të Shqipërisë: “Pjesë, ose jo e BE-së, ne do të bëhemi vend europian”- tha sot ai! Së pari, dua t’i kujtoj Ramës se Shqipëria është vend e popull europian prej mijëra vitesh, që prej antenatëve tanë. Së dyti, që Shqipëria është në rrënjet e kulturës europiane, e cila ka lindur mbi 2500 vite më parë në trekëndëshin Iliri-Romë-Athinë. Së treti, e ardhmja në BE e Shqipërisë nuk mund të vihet kurrë në dyshim, sepse Europa është familja jonë e ne nuk kemi pse “të bëhemi europianë”, ne jemi të tillë e veteë të tillë, ne do të bëhemi pjesë e Europës së Bashkuar. Ne do të bëhemi anëtarë të BE-së, të shtëpisë sonë, dhe për këtë nuk kemi tjetër alternativë, tjetër opsion, tjetër perspektive…pavarësisht deklaratave ogurzeza të Ramës! Çdo alternativë tjetër është vetëm largimi nga familja jonë, për diku në Lindje… Dhe këtë ne e kemi provuar dy herë tragjikisht gjatë historisë sonë: Gjatë pushtimit otoman e gjatë atij komunist. Kjo është e vërteta historike për ne, ndërsa qëllimi i ynë i madh historik e i patjetërsueshëm për të gjithë shqiptarët është vetëm Brukseli e Perëndimi. Rama mund të konspirojë çfarë të dojë, apo si mund ta drejtojnë atë në kurriz të shqiptarëve, por një gjë nuk e arrin dot, të ndryshojë identitetin, përkatësinë dhe trajektoren e “rrugës” historike të këtij populli”, deklaron deputeti i zgjedhur i PD-së, Tritan Shehu.

SHKARKO APP