Shehu i kthehet Ramës: 15 kushtet nuk janë plotësuar, dështimet nuk fshihen pas fishekzjarrëve e shampanjës

Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike në Qarkun e Gjirokastrës, Tritan Shehu, ka thënë se për dështimin e çeljes së negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian, nuk është faji i marrëdhënieve të krisura mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, siç ia faturoi sipas tij, kryeministri Edi Rama, por i keqqeverisjes së këtyre 8 viteve të fundit nga ana e socialistëve.

Nëpërmjet një reagimi në rrjetet sociale, Shehu thotë se Shqipëria nuk i ka plotësuar 15 kushtet e vendosura nga BE, ndaj sipas tij, vendi ndodhet në vendnumëro sa i përket procesit të anëtarësimit.

Po ashtu, ish-kreu i diplomacisë shqiptare theksoi se situata po kthehet tragjike, për Shqipërinë dhe qytetarët e saj.

“Po dëgjoj Ramën të deklarojë: “Dështoi BE, nuk dështoi Shqipëria”! Në fakt nuk ka dështuar BE, ka dështuar për të disatën herë Rama dhe qeverisja e tij, duke dëmtuar kështu rëndë Shqipërinë. Kjo është e vërteta e hidhur e kalvarit tonë prej vitit 2014 të “Çeljes së negociatave”, dhe jo vetëm me hapa vendnumëro në procesin e integrimit, por me hapa mbrapa në këtë proces jetik dhe të pazëvendësueshëm për ne. Në qoftë se ne nuk po na çelen përsëri negociatat kjo vjen vetëm për faktin se ne jemi larg plotësimit të standardeve, të 15 pikave të kërkuara për këtë. Në qoftë se ne do të kishim plotësuar standardet nuk do të ishim të lidhur me Maqedoninë e Veriut, në shpresën e një vendimi të përbashkët politik e gjeopolitik, gjë që fatkeqësisht, siç duket nuk po finalizohet edhe këtë herë. Në qoftë se ne do të kishim plotësuar standardet, ne do të pranoheshim si Shqipëri në atë proces, pa u ndërvarur nga problemet e Maqedonisë së Veriut. Kjo është e vërteta që kërkon të fshehë Rama, ashtu siç janë të qarta dhe shkaqet e këtij dështimi të tij: Keq qeverisja e thellë nga Rama & Co; Stanjacioni dhe rënia ekonomike në vend; Deformimet e thella të demokracisë e të të drejtave themeltare; Një shtet i dominuar e kontrolluar nga grupet kriminale të trafiqeve të drogës, qenieve njerëzore, korrupsionit, etj; Gabimet e rënda dhe keq orientimet në politikën e jashtme e atë rajonale me pasoja largimin nga Perëndimi e shkuarjen diku në Lindje, krijimin apo bashkë-autorësinë e projekteve destabilizuese, që bien ndesh me interesat tona e të të gjithë Ballkanit Perëndimor, etj,. Pra, edhe ky dështim nuk mund të fshihet mbas demagogjive dhe pa vërtetësive të sotme të Ramës, ashtu si dhe dështimet radhazi prej 2014-ës, nuk u fshehën dot me fishekzjarret dhe shishet e tij të shampanjës. Situata kështu po bëhet çdo ditë dhe më tragjike për Shqipërinë e shqiptarët”, u shpreh në reagimin e tij në rrjetet sociale deputeti i zgjedhur i PD-së, Tritan Shehu.

SHKARKO APP