Shehu: Parodia e Ramës s’ka fund, vaksinat Covid nuk janë “mbushjet bërthamore” të Kim Jong-un!

Ish-deputeti demokrat Tritan Shehu shprehet se parodia e Edi Ramës me vaksinat nuk ka fund, ndërsa i kujton kryeministrit se vaksinat anti-Covid nuk janë “mbushjet bërthamore” të Kim Jong-un.

“Parodia e Ramës s’ka fund: Vaksinat Covid nuk janë “mbushjet bërthamore” të Kim Jong-un! Se dhe për blerjet e “Raketave” në botën demokratike bëhet transparencë e plotë! Ai kështu kërkon të fshehë skandalin e shpërthyer me 970 dozat, apo dhe të tjerë në ardhje. Kjo është një tentativë komike për të “ligjëruar” “kontrabandën” e realizuar me ato vaksina të ardhura pa adresë, pa origjinë, pa asnjë certifikatë të domosdoshme për importet e çdo medikamenti, për sigurinë medikamentoze, garancinë teknike e cilësore, në kundërshtim me ligjet e vendimet. Po dëgjoj sot urdhra e kërcënime ndaj Deputetëve për mos nxjerrjen e “sekretit shtetëror të blerjes së vaksinave”, duke i trajtuar ata kështu si “pupacë”, kur formalisht ai Kuvend ka 42  të tillë; të tjerët shpresoj dhe i inkurajoj që për dinjitetin e tyre, për detyrimet ndaj elektoratit, të bëjnë transparencën e domosdoshme. Shteti e demokracia bazohen mbi transparencën, qytetarët kanë nevojë absolute për atë, është e drejta e tyre e pa kontestueshme kjo, është një detyrim themelor i deputetëve ta realizojnë. Janë vetëm deputetët e askush tjetër që mund të vendosin për “seanca të mbyllura” për çështje shumë delikate (po jo për vaksinat), procedurë që në të gjitha këto vite demokracie nuk është aplikuar asnjëherë në Kuvendin tonë! Për të kuptuar deri ku arrin absurdi mjafton të ndiqni seancat e parlamenteve të vendeve të tjera, edhe të tyre jashtë BE. Aty qeveritë raportojnë qartë e hapur për kontratat për vaksinat, buxhetin për to, llojin e sasitë e kontraktuara, kohën e ritmet e ardhjes, e deri te rrugët dhe mënyrat e transportit, infrastruturën e vendit, etj, etj,. Paraqesin edhe një “Program Vaksinimi” të plotë, duke e bërë publike atë, gjë për të cilën insistoi si domosdoshmëri edhe ambasadori i BE-së. Kjo është demokracia; e jona është transformuar në modelin e Shokut Kim!”, shprehet në reagimin e tij përmes rrjeteve sociale, ish-ligjvënësi i PD-së, Tritan Shehu.

SHKARKO APP