Shehu: Protesta do bëhet tek Kryeministria, Alibeaj le të nxjerrë kandidatë të pavarur. Nuk do jenë të PD
Edhe pse Policia e Shtetit dhe Bashkia e Tiranës, nuk jep leje që protesta e thirrur nga Sali Berisha më 6 dhjetor të bëhet, grupi pro tij në PD, thotë se do të bëhet. Deputeti Tritan Shehu thotë se kjo protestë do të zhvillohet si të gjithë protestat e kaluara përpara Kryeministrisë, duke i kthyer edhe përgjigje Bashkisë së Tiranës që i ofroi sheshin ”Skëndërbej” për të zhvilluar protestës. Për të Bashkia nuk duhet të përfshihet.
“Partitë vetëm njofton për orën dhe vendin dhe vetëm kaq, ndërsa Bashkia kot përzihet me këto gjëra, protesta do bëhet aty ku është bërë, nuk do jetë vetëm protestë, por edhe mikpritje ndaj liderëve Europian. Do jetë përballë kryeministrisë”, tha Shehu në Report Tv.
Për vendimin e Enkelejd Alibeajt për të dalë me kandidatë të tyre në zgjedhjet lokale të 14 majit 2023, për Shehun ato kandidatë nuk përfaqësojnë PD-në, por janë të pavarur.
“Lejohen dhe kandidat të pavarur, të gjithë kanë të drejtë, s’ka nevojë ta fusë as Alibeaj e a Alimani, nuk ka asgjë, le të kandidojnë si kandidat të pavarur. Të mbledhë firmat, nuk ka asnjë element që më shqetëson”.