Shehu: Rama i lidhur me elementë që na duan jashtë BE, mini-shengeni i rrezikshëm
Ndërkohë që në Tiranë do të zhvillohet për dy ditë samiti për mini-shengenin ballkanik me pjesëmarrjen e Vuçiç dhe Zaev, opozita e kundërshton këtë nismë. Ish-deputeti dhe ish-ministri i Jashtëm, Tritan Shehu i ftuar në studion e lajmeve në Ora News tha se kryeministri Edi Rama është i lidhur me elementë që e duan Shqipërinë jashtë BE.
Sipas tij, ka rrugë të tjera për bashkëpunimin ekonomik mes vendeve të rajonit siç është CEFTA.
Tritan Shehu: Ne jemi të lidhur me elementë të cilët duan të na mbajnë jashtë BE. Ky kryeministër është i lidhur me elementë të cilët duan të na mbajnë jashtë BE dhe i detyruar ndoshta nga ata elementë. Prandaj ndodh kjo gjë, që futemi në një rrugë pa krye, pa sens, pa kuptim kur për bashkëpunimin ekonomike mes vendeve të rajonit ekziston CEFTA, hajde të zhvillojmë CEFT-ën, ekzistojnë parimet evropiane, hajde ti përmbushim standardet.
Sipas Shehut, ideja për mini-shengenin ballkanik është e hershme, por është kundërshtuar nga Shqipëria dhe nga veta ai kur ka qenë ministër i Jashtëm, pasi është konsideruar si një projekt i rrezikshëm.
Tritan Shehu: Ka qenë më i hershëm, ka pasur kundërshtim nga ne, nga mua personalisht që kam qenë ministër i jashtëm. Ka qenë ushtruar jo në kuptimin e shengenit ballkanik, por në kuptimin e një Beneluksi Ballkanik, i cili është i rrezikshëm sepse krijon një unitet, i cili të konsiderohet si një unitet afër, por jo anëtarësuar në BE. Një unitet që për mua pengon procesin e integrimit të plotë të BE, që nuk do jetë një proces kolektiv, por një proces sipas standardi që do ta përmbushë çdo vend. Detyra jonë është hajde të koncentrohemi, pse nuk morëm negociatat kësaj radhe dhe çfarë duhet të bëjmë që të marrim negociatat herën tjetër, në mënyrë që të shkojmë në anëtarësimin e BE dhe jo të futemi në ca shtigje që të çojnë në lindje.