Shehu: Rama, përgjegjës për mossigurimin e vasksinave në kohën e sasinë e duhur!
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu deklaron se kryeministri Edi Rama është përgjegjësi direkt për mos sigurimin e vaksinave anti-covid në kohën e sasinë e duhur.
Përmes rrjeteve sociale, ish-ministri i Shëndetësisë teksa referon deklaratën e Ramës për sigurimin e 500 mijë doza vaksinash shprehet se kjo deklaratë nxit një sërë pyetjesh, që në fund kanë një përgjigje, pa përgjegjshmërinë dhe keqmenaxhimin e të gjithë epidemisë.
“Rama, përgjegjës për mos sigurimin e vasksinave në kohën e sasinë e duhur! Kryeministri deklaron se Qeveria ka siguruar 500 mijë doza vaksinash. Kjo deklaratë e tij, edhe po ta marrim të mirëqënë, nxit një sërë pyetjesh, që në fund kanë një përgjigje, papërgjegjshmërinë e keqmenaxhimin, si të gjithë epidemisë:
1. Rama duhet ta dijë se 500 mijë doza që ai deklaron në total me Pfizer, janë maksimalisht për 250 mijë qytetarë, pra për rreth 10 % të atyre që duhet të vaksinohen në vendin tonë. Po për pjesën prej 90% të popullsisë çfarë programi ka në kohë e sasi kjo Qeveri?
2. Po kjo sasi prej 500 mijë dozash në cilin hark kohor do të konsumohet në vendin tone dhe pse deri tashti nuk është bërë transparent asnjë kontratë dhe fond financiar përkatës, siç veprojnë të gjitha qeveritë e tjera?
3. Rama deklaron se në janar do të arrijnë rreth 10000 doza vaksinash, pra për 5000 qytetarë, afërsisht për një të katërtën e personelit shëndetësor e deri tashti nuk ka asnjë komunikim kush do të përfitojë, ndërsa për rrethet nuk po flet kurrkush?! 3. Meqë më në fund Rama e pranoi se mund të kontraktohej direkt me kompanitë prodhuese, siç ne i kemi rekomanduar prej muajsh, duhet të sqarojë pse ky veprim nuk u bë në kohën e duhur, gjë që do të na vinte në pozicione të favorshme, si p.sh veproi Serbia, që dje mori transhin e dytë të vaksinave “Pfizer” prej 20 mijë dozash?
4. Kush është projekti i plotë i infrastrukturës së shpërndarjes për këtë vaksinë në Shqipëri? Në qoftë se mendohet që çdo gjë të koncentrohet në Tiranë do ishte një dështim edhe me pasoja negative epidemiologjike.
5. Cili do të jetë roli i COVAX në plotësimin e nevojave të vendit me vaksina; në sasi, lloje e ritme realizimi kjo?
6. Kush është buxheti i plotë për blerjen e vaksinave e cilat kompani prodhuese përbëjnë prioritetet kryesore të blerjes për Qeverinë?
Për dijeni nga vendet e Rajonit për vaksinën “Moderna”, që duhet të miratohet nesër nga EMA, ka aplikuar dhe Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, ndërsa për Shqipërinë nuk ka asgjë aty”, u shpreh ish-deputeti i PD-së, Tritan Shehu.