Shehu: Rama po shfrytëzon tërmetin për të instaluar një terr informativ afatgjatë në Shqipëri

Ish-deputeti i Partisë Demokratike Tritan Shehu jep alarmin se shqiptarët po shtyhen nën çensurë e autoçensurë nga qeveria “Rama”, e cila po shfrytëzon tërmetin për të instaluar terr informativ afatgjatë në Shqipëri.

Përmes rrjeteve sociale, Shehu shprehet se Rama kërcënoi përsëri rëndë median, duke gjetur fragmente shembujsh të largët të kufizimit të saj, por duke “harruar” se ne po shkojmë drejt BE.

“Ndërkaq, po ky presion kërkohet të realizohet edhe direkt mbi qytetarët”, nënvizon ish-deputeti demokrat.

Reagimi i Tritan Shehut

Shqiptarët po shtyhen nën çensurë e autoçensurë!

Autokracia duke shfrytëzuar tërmetin po instalon një terr informativ afatgjatë në Shqipëri.

Prej ditësh është vendosur nga Qeverisja një marrëdhënie kërcënimi mbi median, për ta mbajtur atë nën presion sot e nesër.

Rama kërcënoi përsëri rëndë median, duke gjetur fragmente shembujsh të largët të kufizimit të saj, por duke “harruar” se ne po shkojmë drejt BE.

Ndërkaq, po ky presion kërkohet të realizohet edhe direkt mbi qytetarët.

Mbajtja për disa ditë në qeli dhe vendimi i sotëm i gjykatës së Durrësit me “detyrim paraqitje” për atë studente, që e terrorizuar nga shkatërrimet aty, shprehu në median personale një alarm të brendshëm, është një sinjal jo i shkëputur për atë që po ndodh në vendin tonë drejt kufizimit të lirive themelore të njeriut.

E turpshme dhe tejet shqetësuese kjo!

Regjimet autokratike e diktatoriale kanë përdorur shpesh fatkeqësi natyrore, kriza ekonomike, grushte shteti, e deri te inskenime ekstreme, për të justifikuar masat represive e kufizuese.

Demokracia e cenuar është gjëja më e vështirë për t’u “shëruar”!

SHKARKO APP