Shehu: Rama serviri “kokën” e Bushatit në tepsi, në këmbim të disa premtimeve
Ish-deputeti i Partisë Demokratike Tritan Shehu deklaroi se “koka” e ish-ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati u ofrua në tepsi nga kryeministri Edi Rama, në shkëmbim të disa premtimeve.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Shehu thekson se “asgjësimi” i Bushatit erdhi pasi ky i fundit shprehu qëndrimin e tij kundër shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.
Në vijim reagimi i plotë i Shehut:
Rama serviri “kokën” e Bushatit ne tepsi!
(Meqenese disa po “cuditen” me cfare po ndodh ne Republiken tone te “bananeve”).
“Asgjesimi” i ish-Ministrit të Jashtëm ishte një dëshmi e vasalitetit, mungesës së dinjitetit të Qeverisjes sonë, i mekanizmave orientale të “kapjes e detyrimit”, larg interesave të vendit, mbi të cilat janë ndërtuar “aleanca” me partnerë në keto vite të Rilindjes.
Per mua Z.Bushati si Ministër ka qenë një kundërshtar politik, të cilit i kam kërkuar dorëheqjen për ”turbullirat” diplomatike, rajonale, për vizione partneriteti jo sinkron me interesat e vendit, duke i deformuar ato sipas detyrimeve të Rilindjes e të Kryeministrit, apo për të shpëtuar pa sukses “kokën”.
I vetmi rast me racional i tij ishin “belbëzimet” në disidencë me planin antikombëtar të shkëmbimit të territoreve Kosovë-Serbi, gjë që përbën vetëm një element në asgjësimin e tij politik, si dhe në tragjiko-komedine, që po luhet sot në Ministrinë tonë të Jashtme.
Thelbi i asaj që ndodhi me Z.Bushati qëndron te fakti se ”koka” e tij për arsye dytësore, u kërkua prej diku në tepsi si dikur nga Sulltani ajo e Ali Pashait, gjë që Kryeministri i kushtëzuar e dorëzoi personalisht edhe në shkëmbim të disa premtimeve, që i duken atij siç i duket “fija e kashtës kujt po mbytet”, duke i bërë “të lumtur” urdhëruesit këmbëngulës.
Thjesht një tregues ky i vasalitetit rilindas, me rreziqet që paraqet për rrugën tonë të Integrimit dhe atë drejt Perëndimit.
PS. Krahasimi i “kokave” lidhet vetëm me mekanizmin asgjësues.