Shehu: Rama të dorëhiqet, dështoi me pandeminë. Sot jemi dhjetëra herë më keq se Italia, po shkojmë drejt katastrofës
Ish-ministri i Shëndetësisë, Tritan Shehu, vijon reagimet e tij lidhur me situatën që po shkakton përhapja e pandemisë së koronavirusit në vendin tonë.
Përmes rrjeteve sociale, Shehu thekson se kryeministri Edi Rama duhet të “kuptojë” se tragjikisht jemi kështu jo prej “hapjes”, as prej opozitës, por prej dështimit të tij.
Në reagimin e tij, Shehu thekson se dikush prej “Komitetit” duhet të marrë guximin e t’i shpjegojë kryeministrit se nuk është “mbyllja”, që shpëton Shqipërinë, përkundrazi, janë masat inteligjente me një menaxhim korrekt, janë testimet masive me liberalizimin e tyre, aktivizimi i mjekut të familjes, mbrojtja, forcimi e modernizimi i institucioneve shëndetësore etj!
“Rama të “kuptojë” se tragjikisht jemi kështu jo prej “hapjes”, as prej opozitës, por prej dështimit të tij!
-Dikush prej “Komitetit” duhet të marrë guximin e t’i shpjegojë se nuk është “mbyllja”, që shpëton Shqipërinë. Përkundrazi, janë masat inteligjente me një menaxhim korrekt, janë testimet masive me liberalizimin e tyre, aktivizimi i mjekut të familjes, mbrojtja, forcimi e modernizimi i institucioneve shëndetësore, etj!
E mbylli vendin më ashpër se Italia, Franca, Spanja etj, përfundimi sot jemi dhjetëra herë më keq, drejt katastrofës, në qoftë se nuk do të ndryshojë kryekëput.
Dëgjoj disa “ekspertë” që thonë si kor i Ramës se kjo është pasojë e “hapjes”, e fillimit të transportit publik, etj., absurditet.
Si mendojnë ata, të qëndrojmë “të mbyllur”, për sa?
A e dinë ata se Italia, Franca, Spanja nuk e mbyllën asnjëherë transportin publik, se metroja e Parisit nuk u mbyll për asnjë ditë, por vendosën rregulla inteligjente!
Dhe sot ato vende janë krejt të hapura, me një epidemiologji nën kontroll, ndërsa ne jemi “jashtë kontrollit”, të mbyllur si dekada më parë.
-Dikush duhet t’i thotë Ramës se për këtë nuk e kanë fajin as “mjekët e politikës”, shumë e thanë qartësisht mendimin, se është pikërisht ky mendim politik shëndetësor që duhej e duhet, që jo vetëm i mungon kësaj Qeverie në aventurat e saj tragjike, por që nuk ka as mirëkuptimin të dëgjojë, jo më mirësjelljen të falënderojë.
-Ndërkaq, po lexoj që 300 mjekë të Serbisë kanë kërkuar dorëheqjen e “Komitetit” të tyre anti-Covid për dështimin, pra siç duket aty diçka paska funksionuar!
Ne nuk kemi pse ta kërkojmë këtë, ne duhet të kërkojmë vetëm dorëheqjen e Qeverisë e të Kryeministrit se ata janë “Komiteti” real i dështimit, nuk kemi pse të kërkojmë tjetër, përveçse tashti një asistencë të gjerë ndërkombëtare, e domosdoshme kjo”, thotë ish-deputeti demokrat, Tritan Shehu.