Shehu: Rama teksa flet për integrimin, po kap dhe KLSH-në, duke rrezikuar më tej demokracinë

Ish-deputeti i Partisë Demokratike Tritan Shehu ka reaguar lidhur me projektligjin e depozituar sot në Kuvend për Kontrollin e Lartë të Shtetit, ku socialistët përmes “shpikjes” së nënkryetarit të KLSH-së, synon kapjen e të vetmit institucion të pavarur kushtetues që nuk e ka nën kontroll.

Përmes rrjeteve sociale, Shehu deklaron se Edi Rama, ndërsa sot flet për integrimin po “kap” edhe KLSH-në, duke rrezikuar më tej demokracinë e rrugën evropiane të vendit tonë.

“Rama, ndërsa sot flet për integrimin po “kap” edhe KLSH-në, duke rrezikuar më tej demokracinë e rrugën europiane!

Në qershor të vitit 1997, nën garancinë e Komunitetit Sant’Egidio dhe të miqve italianë, unë me Fatos Nanon firmosëm në prag të atyre zgjedhjeve një marrëveshje ku midis të tjerave përcaktohej që dhe drejtuesi i KLSH-së do t’i përkiste opozitës.

Një marrëveshje ajo për të krijuar disa ekuilibra e zbutur deri diku tensionet.

Këto ditë me përpjekjet antikushtetuese të PS-së për të ndryshuar Ligjin e KLSH-së po tentohet “kapja” dhe e tij.

Kjo tentativë tejet e rrezikshme po ndodh kur kriza në vend është unikale, pluridimensionale, kur kemi një Parlament e Qeverisje Lokale moniste, kur kjo mazhorancë po kontrollon drejtësinë, kur jemi pa Gjykatë Kushtetuese e të Lartë, kur vendi po kthehet përsëri në një “Republikë të Kanabisit”, kur tensionet kanë shkuar në “qiell”:

-Të krijohet një Zv. Kryetar i KLSH-së që propozohet nga Komisioni Parlamentar i Ekonomisë, i cili e mund ta drejtojë atë për tre vite…. – për të qeshur e për të qare ky “projekt” i maxhorancës, që dhe vetë Maduro nuk do ta kishte përpiluar dot të tillë, një “deja vu” kjo e keqpërdorur edhe për Prokurorin e Përgjithshëm.

Në fakt ky është një ndryshim ligjor që përmbys çdo gjë në KLSH, duke goditur demokracinë, transparencën, luftën kundër korrupsionit e konsolidon autokracinë.

Si i tillë ai duhet të shërbejë edhe si një motiv i fortë e sensibilizues, për të thirrur përsëri në mbrojtje të demokracisë, Qytetarët”, shprehet ish-deputeti demokrat Tritan Shehu.

SHKARKO APP