Shehu: Varfëria në rritje, ekonomia ka nevojë për një plan shpëtimi
Eksperti i ekonomisë Sherefedin Shehu, ka komentuar raportin e Bankës Botërore, në të cilin theksohet një rënie e ekonomisë. Ai u shpreh se ky realitet mund të përkeqësohet. Shehu shton se vendi ndodhej në një krizë por për shkak të pandemisë është përkeqësuar edhe më shumë. Sipas ish-deputetit të PD-së, qeveria tashmë duhet të marrë masa për të parandaluar këtë krizë. ”Nga 40 % varfëria pritet të rritet në 60% dhe qeveria duhet të marrë masa sa më parë”,-tha në ”Abc News”.
Nga ana tjetër, Shehu shtoi se ekonomia nuk po pësonte rritje, por tashmë sipas tij jemi në një situatë ku pritet që rënia të shkojë në 5%. Për paketat e qeverisë ai i ka cilësuar gjysmake. ”Ekonomia ka pasur nevoja për reforma strukturore më herët. Tani duhet të paktën popullsia të mbështetet për të kaluar këto muaj të vështirë. Në raportin e Bankës Botërore bëhet me dije se ata që do të goditen më shumë janë pjesa e paregjistruar”.
Sa i përket kultivimit të kanabis, ish-deputeti i PD-së theksoi se rritja e prodhimit dhe tregtimit të drogërave të ndryshme është një fenomen që ka qenë prezent dhe ka ardhur duke u rritur në Shqipëri. ”Ky fenomen e ka çuar ekonominë shqiptare në ngërç. 90 deri në 95 % e të ardhurave nga droga shkojnë në sektorin e ndërtimit. Ndërsa kemi një rritje të dukshme të investimeve private, nuk ka rritje të kreditimit bankar”.