Dënimi i Luan Dacit, Vetingu mori sot një goditje me përmasa historike
Gjykata e Posaçme ka shpallur këtë mesditë vendimin për ish-gjyqtarin Luan Daci, anëtar i trupës së vettingut. Pasi ka dhënë në mënyrë të përmbledhur faktet, GJKKO ka vendosur të dënojë me gjashtë muaj burg ish-gjyqtarin Luan Daci. Dënimi i konvertohet në 12 muaj shërbim prove. Avokati i tij tha se ky vendim është një precedent i rrezikshëm dhe i gabuar.
Pas këtij vendimi, Gerti Shella drejtues i Qendrës për Çështje të Informimit Publik (INFOCIP) një organizatë jo-qeveritar, që përkrahë transparencën në vendimmarrje dhe sundimin e ligjit, shprehet se vetingu mori sot një goditje me përmasa historike.
“Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dha sot vendimin për ish-gjyqtarin Luan Daci, duke e dënuar me 6 muaj burg, konvertuar në 12 muaj shërbim prove. Vetingu mori sot një goditje me përmasa historike. Një debat i ri do të rihapet sot, nëse kanë legjitimitet vendimet e Kolegjit tashmë që një anëtar i tij ka qenë kushte paligjshmërie për të dhënë vendime?! Daci u pezullua nga Komisioni i Posaçëm i Apelimit (KPA) për falsifikim dokumentesh e deklarim të rremë. Bashkë me vetingun, goditje morën edhe Avokati i Popullit dhe Kuvendi i Shqipërisë, të cilët “filtruan” këtë kandidaturë…“,- shprehet Shella.
Ai shton se “po të dëgjosh me vëmendje seancën e intervistës së ish-gjyqtarit Daci para deputetëve të Kuvendit në kohën kur ai kandidoi, krijohet përshtypje se Kuvendi e dinte se për kë po thoshte “PO”. Ndërkohë, duket se Avokati i Popullit ka pasur vetëm një javë kohë për të parë letrat e kandidatit dhe… s’i ka parë siç ia donte puna! Në rastin më të mirë, sistemi ka bërë DEFEKT të trefishtë; në rastin më të keq, Sistemi ka qenë i dizenjuar për të pranuar gjyqtarë me cen…”.
Luan Daci ka folur pas vendimit të GJKKO për ta dënuar me 6 muaj burg për deklarim të rremë të konvertuar në 12 muaj pezullim nga detyra si anëtar i KPA-së dhe kontakt me shërbimin e provës. Daci ka theksuar se s’ka falsifikuar asnjë dokument gjithë jetën e tij, ndërkohë që GJKKO e dënoi për shkak se nuk ka deklaruar se u shkarkua në vitin 1997. Nga ana tjetër ai ka theksuar atë që paralajmëroi dhe avokati i tij, që çështja dhe përballja me drejtësinë vijon tashmë në Apelin e GJKKO. “S’kam falsifikuar asnjë dokument tërë jetën. Atë do e gjykojë Apeli, Apeli e ka gjykuar”, tha Daci.