Shembja e maternitetit të Tiranës, Bylykbashi: Shenja të qarta se shteti policor po bëhet gati të mbrojë shtetin e betonit
Kandidati i Partisë Demokratike për deputet në Qarkun e Durrësit, Oerd Bylykbashi, i bën apel bashkëqytetarëve të tij që në 25 prill të votojnë alternativën e PD-së dhe të bëhen të gjithë bashkë në këtë betejë për ta bërë Durrësin të ri-jetueshëm.
“Të rinjtë kanë qenë gjithmonë motorri i ndryshimit në vend. Forumi rinor i Partisë Demokratike në Durrës ku janë përfshirë qindra të rinj ka bërë një punë të jashtëzakonshme gjatë këtyre 8 viteve duke mbrojtur me rezistencë idealet, shpresat dhe qëllimet rinore nga dhunimi prej kësaj qeverisjeje. Të gjithë bashkë në betejë për ta bërë Durrësin të ri-jetueshëm për vete, familjen dhe pasardhësit tanë”, shprehet, Oerd Bylykbashi.
Ndërkaq kandidati demokrat për deputet në Durrës, duke marrë shkas nga prishja e godinës historike të maternitetit të Tiranës, i bën apel shqiptarëve që të kenë kujdes pasi siç thotë ai, këto janë shenja të qarta se shteti policor po bëhet gati të mbrojë shtetin e betonit.
“Tensionimi i situatës para zgjedhjeve, aktet e dhunës me sfond politik, gjuha vulgare e kryeministrit, përpjekjet për të bllokuar takimet e opozitës, janë shenja të qarta se shteti policor po bëhet gati të mbrojë shtetin e betonit.
Në Durrës paratë e qytetarëve u shpërdoruan në beton, në Tiranë u shembën ndërtesat historike në interes të betonizimit.
Puna e PD për të çbetonizuar Shqipërinë, për ti kthyer qytetarëve pronën dhe shqiptarëve dinjitetin nuk do të jetë e lehtë. Do të kërkojë kohë, mund dhe vullnet. Ne këtë vullnet e kemi.
Sot më shumë se kurrë kemi besimin se ndryshimi fillon në Durrës”, shprehet Bylykbashi.