Shembja e “Prestige”, Rama: S’do të ketë tolerime, po bëhen gati ndryshimet ligjore

Kryeministri Edi Rama këtë të dielë ka bërë me dije se përveç objektit 7 katësh në vijën bregdetare të Kavajës, “Prestige Resort”, do të ketë edhe shembje të tjera ndërsa shtoi nuk do të tolerohet askush. Gjatë konferencës virtuale me gazetarët, kryeministri Rama tha se nuk ka lidhje me çfarë thuhet e pretendohet e aq më pak me lirinë e medias.

“Nuk mbaron këtu. Për rastin që flisni dhe të gjitha të tjerat, në dijeninë time do ketë dhe shembje të tjera për të cilat ka procedura dhe nuk do të ketë asnjë individ që do të tolerohet. Jeni të mirëseardhur të denonconi ndërsa po evidentohen raste nga strukturat e specializuara.

Po bëhet gati ndryshimi ligjor që kontrolli i lejeve të ndërtimit nga ana e strukturave vendore për ato që japin leje dhe Këshilli Kombëtar i Territorit, do bëhen në mënyrë periodike dhe jo më pak se 60 ditë.

Do të firmoset që askush nga grupet e kontrollit të mos thotë se pashë. Ky është proces nxjerrjesh mësimi nga ne. Nuk ka lidhje me çfarë thuhet e pretendohet e aq më pak me lirinë e medias. Kjo është çështje ligjshmërie dhe ligji është i barabartë për të gjithë, pavarësisht se janë në politikë apo media”.- shtoi Rama.

SHKARKO APP