Shenjtërimi i Nënë Terezës, Presidenti Meta: Mesazh reflektimi për ndërtimin e një Shqipërie më të dhembshur
Si sot para 5 viteve, Nënë Tereza u bë Shën Tereza. Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta thotë se shembulli i saj i dashurisë në veprim, solidaritetit dhe humanizmit vjen si mesazh frymëzues dhe reflektimi për ndërtimin e një Shqipërie më të dhembshur dhe njerëzore.
Mesazhi i plotë
Në Ditën e Shenjtërimit të Nënë Terezës, krenarisë tonë kombëtare, shembulli i saj i jashtëzakonshëm i dashurisë në veprim, solidaritetit dhe humanizmit vjen si mesazh frymëzues dhe reflektimi për më pak fjalë dhe më shumë vepra për ndërtimin e një Shqipërie më të dhembshur dhe njerëzore, ku çdo qytetar në nevojë gjen ndihmë, përkrahje, zgjidhje të halleve, përfshirje sociale, shanse dhe mundësi të barabarta. Të krenohesh me Shën Terezën, së pari duhet të jetësosh veprën e saj.