Sherri Noka-Alibeaj në Kuvend, Çollaku: E turpshme ajo që ndodhi, po shpallin armik njëri-tjetrin
Një skenë të shëmtuar e cilëson deputeti Kreshnik Çollaku, përplasjen në Kuvend mes kolegëve të PD-së, Enkelejd Alibeajt dhe Flamur Nokës.
Ai thotë se është për të ardhur keq që po ndodhin këto gjëra brenda PD-së, ku përplasjet tashmë kanë mbërritur deri në Parlament. Çollaku nënvizon edhe e gjithë kjo vjen për shkak të frymës dhe interesave personale që kanë disa persona brenda PD-së.
”Unë jam ndjer jashtëzakonisht keq për atë skenë. Nuk do doja të isha në një seancë të tillë ku demokratët sulmojnë njëri-tjetrin. Nuk kam çfarë t’i shtoj kësaj historie. Më erdhi keq të shihja një PD ku përplasen me njëri-tjetrin dhe në krahun tjetër shihje socialistët në sallë që talleshin. A ka mundësi të gjejmë një gjuhë të përbashkët? Unë mendoj se e kemi detyrim për gjetjen e një gjuhe të përbashkët.
Kemi bërë dhe tentativa ku e fundi ishte zgjedhja e një kandidati të përbashkët, por dështuam, pasi dominuan interesat politike. Ajo që prishi marrëveshjen ishte fjalia: Hajde njihni statutin tim. Sa i përket këtyre skenave janë degraduese më vjen keq që marr pjesë në një seancë të tillë, më duket si një formë për të shpallur armik njëri-tjetrin”- tha deputeti demokrat.