Sherrin politik po e vuajnë qytetarët, Meta: Koha për t’iu rikthyer Marrëveshjes së 5 Qershorit është tani
Presidenti i vendit Ilir Meta ka reaguar për rritjen e infeksioneve nga Covid-19. Kreu i shtetit shprehet se “përshkallëzimi artificial i tensioneve politike në vend, që nga rrafshimi i pabesë dhe i paligjshëm i Teatrit Kombëtar në kulmin e pandemisë, e sidomos prishja e njëanshme e Marrëveshjes së 5 Qershorit nga Kryeministri në detyrë, jo vetëm që nuk i shërben stabilitetit politik dhe bllokon çeljen e negociatave për anëtarësim në BE, por ka patur dhe ka pasoja të rënda për shëndetin dhe jetën e qytetarëve, veçanërisht për ekonominë e tyre”.
Kreu i Shtetit thekson se koha për t’iu rikthyer Marrëveshjes së 5 Qershorit, si edhe bashkëpunimit për mirëmenaxhimin e pandemisë, është tani.
Java që lamë pas shënoi një rritje të ndjeshme të numrit të rasteve të reja me COVID 19, ndërsa në të gjithë vendin u rregjistruan 1160 të prekur.
Bëhet fjalë për një shtim prej gati 15 përqind të të infektuarve, krahasuar me javën pararendëse, kur mesatarja ditore ishte prej 145 rastesh.
Mesatarja e kësaj jave kërceu 165 raste në ditë, duke kulmuar me 24 orët e fundit, gjatë së cilave, sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë ka patur 171 të infektuar, niveli më i lartë që nga 24 gushti, kur është shënuar dhe piku i deritanishëm me 178 raste në ditë.
Rritja e numri të të prekurve, gjatë javës së shkuar vjen kur ndërkohë testimet shënuan një ulje të lehtë. Që nga fillimi i pandemisë në Shqipëri, janë konfirmuar 15570 të infektuar.
KOHA JONË SONDAZH

