Shezlongë dhe çadra pa leje, Policia zbraz plazhet e vendit. Pushuesit ”piqen” në diell

Masakra në Velipojë për 50 metra hapësirë për vendosjen e shezlongëve dhe çadrave, u mori jetën 4 qytetarëve. Zënia e hapësirën në bregdet nuk është problem i sotëm, por prej vitesh. Dje kryeministri Edi Rama paralajmëroi bizneset që ti heqin vetë shezlongët dhe çadrat që i kanë vendosur pa leje dhe sot e gjithë kupola e Policisë së Shtetit zbarkoi në plazhet e vendit.

Velipoja ku ndodhi tragjedia ishte plazhi i parë ku Policia nisi verifikimet. Mesa duket probleme të tilla ka ende, por fatmirësisht këtë herë është policia prezente. Gjatë aksionit policor në Velipojë u vërejt mungesa e topografit, i cili do të mund të përcaktonte saktë sipërfaqet e parcelave për të cilat subjektet kanë marrë përgjigje paraprake për t’i shfrytëzuar, pasi efektivet e policisë nuk ishin në gjendje të verifikonin sipërfaqet sipas hartave që u paraqiteshin.

”Gjatë gjithë vijës bregdetare në Velipojë janë verifikuar 27 subjekte, 2 prej të cilëve kishin zënë më shumë hapësirë publike se sa parashikohej nga leja përkatëse në e-Albania. Në këto 2 subjekte janë hequr 40 shezlongë dhe rreth 20 çadra”,-informon Policia e Shtetit.

Aksione të ngjashme janë zhvilluar edhe në plazhet e Durrësit, Kavajës dhe Zvërnecit në Vlorë. Atje ku janë vërejtur zaptim të paligjshme të hapësirave të plazheve polica ka bërë heqjen e shezlongëve dhe çadrave.

Në Shëngjin, gjatë vijës bregdetare të shetitorës “Willson” janë verifikuar 36 subjekte, të cilat ishin të pajisura me lejen përkatëse dhe nuk janë evidentuar shkelje.

Në Golem të Kavajës, kontrolli ka filluar nga Përroi Agait në drejtim të Karpenit, dhe kontrollet do vazhdojnë në të gjithë vijën bregdetare. Si rezultat i kontrolleve janë evidentuar 11 parcela pa leje ku janë hequr rreth 550 shezlongë dhe rreth 280 çadra.

Në Durrës, kontrolli ka filluar nga Përroi Agait në drejtim të vendit të quajtur “Plepa” dhe kontrollet do vazhdojnë në të gjithë vijën bregdetare. Si rezultat i kontrolleve deri në këto momente në 30 subjekte janë evidentuar 7 parcela pa leje ku janë hequr rreth 290 shezlongë dhe rreth 141 çadra.

Në Pogradec, deri tani janë kontrolluar 24 subjekte, të cilat ishin të pajisura me lejen përkatëse dhe nuk janë evidentuar shkelje.

Në Vlorë, kontrolli ka filluar nga Zvërneci deri në Ksamil, dhe kontrollet do vazhdojnë në të gjithë vijën bregdetare. Si rezultat i kontrolleve deri në këto momente në 37 subjekte janë evidentuar 5 parcela pa leje ku janë hequr rreth 95 shezlongë dhe rreth 20 çadra.

Në Seman, prej mëngjesit të sotëm ka nisur kontrollet dhe verifikimet në territorin e plazhit në Seman, Darzezë dhe Divjakë. Si rezultat i kontrolleve deri tani janë evidentuar 3 subjekte në Darzezë dhe Seman pa leje ku janë hequr 157 shezlongë dhe rreth 76 çadra.

Ky aksion ka lënë pushuesit dhe turistët që të ”piqen” në mes të diellit, pasi ata kanë paguar për këto shërbime, por papritur janë përballur me Policinë që ju hoqi çadrat dhe shezlongët. Kjo është një situatë që përcjell një imazh aspak të mirë në këtë sezon turistik, ku turistët dhe pushuesit nuk kanë pse të shqetësohen pasi kanë ardhur për të pushuar të qetë dhe kanë paguar për këto shërbime.

Ky aksion është mëse i vonuar dhe kurrësesi nuk bëhet në pikun e sezonit, pasi bizneset kanë qenë të goditura nga pandemia dhe tashmë janë pjesë e sherreve për hapësirën në plazh. Pushuesit janë lënë pa çadra në këtë vapë të madhe dhe janë tmerruar.

“Unë nuk e di ca problemi ka ky pronari, por kjo mua nuk më duket e drejtë pasi duhet të lihet kohë të paktën një ditë apo dy ditë. Unë kam paguar lekët për 10 ditë-15 ditë. Sesi i ka punët ky ne nuk e dimë, ama qeveria duhet të bëjë një njoftim. Pse të ngrihem unë kam paguar lekët. Mua më duket me dhunë”,-tha një pushues. Ndërkohë, të tjerë pushues kërkuan vijimësi me qëllim që këto hapësira të mos zaptohen sërish. “Është një proces që duhet të vazhdojë. Kemi 15 vite që bëjmë plazh këtu dhe na marrin lekët, ndërsa nuk paguajnë as tatime, as gjë. Të veprohet sipas ligjit jo vetëm për një sektor këtu, por për të gjithë”.

Zv/drejtori i Rendit dhe i Sigurisë Publike në Shkodër, Dashamir Spaho foli për aksionin e Policisë në lidhje me lirimin e zpatimit të hapësirave pa leje në plazhe. Ai tha po kryhet fillimisht një kontroll mbi ligjshmërinë e plazheve stacionare të vendosura në Velipojë. Spaho shtoi po ashtu se po kontrollohet çdo hapësirë duke paraqitur dokumentacionin e nevojshëm për këtë problem. Zv/drejtori i Rendit dhe i Sigurisë Publike në Shkodër, tha se kanë pasur vetëm dy subjekte që kanë pasur problematikë për mbivendosjen e metrave, pra kanë shfrytëzuar metra më shumë nga sa kanë aplikuar në e-Albania dhe kemi marrë masa për lirimin e ambientëve dhe për ta vënë në shfrytëzim të subjektit që do të fitojë në e-Albania. Sipas Ministrisë së Mjedisit, në total për këtë sezon turistik janë dhënë 3000 leje. Shumë prej fituesve janë shpallur gjatë fundjavës, ndërsa janë refuzuar 10% e të gjithë aplikimeve.

SHKARKO APP