Shikoni këtë foto sot në Skrapar. Përse nuk gjobiten drejtuesit e Rilindjes?

Deputeti Spartak Braho është nderuar nga Bashkia e Çorovodës me titullin “Qytetar Nderi” . Por në ceremoninë e zhvilluar nga kryetari i Bashkisë së Skraparit, Adriatik Mema bie në sy se ligjet për pandeminë jo thjesht nuk janë zbatuar, por janë shkelur më të dyja këmbët.

Fotoja që po publikojmë më poshtë është marrë në momentin e ceremonisë. Rezulton se në një sallë modeste janë grumbulluar ngjeshur me njeri-tjetrin rreth 60 veta. Një pjesë kanë maska, ndërsa të tjerë jo. Me rregullat e vendosura nga Edi Rama, grumbullimi masiv i njerëzve në kohën kur pandemia po bën namin, kjo foto nuk tregon thjesht shkelje masash, por krim ndaj jetës së qytetarëve.

Në Durrës u gjobit një pensionist 75-vjeçar se organizoi një ceremoni në Pallatin e Kulturës, ku kishte shumë më pak njerëz se në foton që shohim në Skrapar. Policia ndërhyri gjatë aktiviteti dhe i la pensionistit që merr rreth 30 mijë lekë në muaj pension, një gjobë prej 50 milionë lekësh.

Ndërkohë në Skrapar ligji shkelet me të dy këmbët dhe askush nuk e denoncon si fakt. Në takim veç Spartak Brahos, i cili nuk është organizator por i ftuar, merrnin pjesë kryebashkiaku Adriatik Mema, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ish-deputetët Nasip Naço, Geldion Rahovica dhe si zyrtarë të lartë nga Berati dhe Tirana. Prania e kryebashkiakut të Skraparit dhe zyrtarëve të tjerë nga Berati dhe Tirana është e mjaftueshme që qeveria të vihet në lëvizje e ti ndëshkojë. Nëse nuk reagon ndaj një shkelje të tillë, kaq të hapur dhe flagrante, çdo qytetar ka të drejtë të dyshojë në vendimet e qeverisë dhe policisë për gjobat.

Nëse ligjet përdoren vetëm kundër qytetarëve, si pensionisti Abdullah Delialliasi në Durrës dhe jo ndaj njerëzve me pushtet si në Skrapar, kjo është tallje me qytetarët dhe krim ndaj shëndetit të tyre.

SHKARKO APP