“Shitet vendi për para”, Luan Rama akuza Edi Ramës me vargjet e Ali Asllanit: Ka shpërdoruar detyrën në Vlorë në formën më të poshtër

Ish-deputeti i LSI-së Luan Rama, me anë të një statusi në “Facebook” ka kritikuar kryeministrin Edi Rama, në lidhje me atë që kryeministri ka bërë në Vlorë, duke qenë edhe deputet në këtë rreth.

Luan Rama thekson se që kur kryeministri Edi Rama u bë deputet i Vlorës, në këtë zonë ka pasur probleme të theksuara, sidomos tek Kadastra, por edhe tek Pylli i Sodës, duke “mbirë” kudo korrupsioni e nepotizmi.

Po ashtu, Luan Rama e kritikon kryeministrin me disa vargje të poetit Ali Asllani, “Shitet vendi për para”.

Postimi i ish-deputetit të LSI-së Luan Rama:

VLORA SI DËSHMI E SHPËRDORIMIT PREJ PUSHTETIT TË EDI RAMËS

Shembulli më i pashembullt e modeli më përfaqësues i shëmtisë së qeverisjes në gjithë përmasën e vet reale të korrupsionit dhe të vjedhjes, të abuzimit dhe të shpërdorimit kriminal në të gjithë qarkun e Vlorës, është zyra e hipotekës apo ajo që sot quhet kadastra.

Që prej kur Edi Rama u bë kryeministër dhe, edhe deputet i Vlorës, janë emëruar, dorëhequr dhe shkarkuar rreth njëzetë drejtorë të hipotekës, si pasojë e një realiteti korruptiv dhe kriminal në trajtimin dhe administrimin e pronave, kryesisht në bregdet.

Mirëpo hipoteka, përkatësisht kadastra, nuk është gjurma e vetme e shpërdorimit kriminal që pushteti i Edi Ramës ka lënë në Vlorë.

Pylli i sodës dhe e gjithë zona prej plazhit të vjetër në Zvërnec në rreth 6 kilometër vijë bregdetare, është degraduar, shkatërruar e vjedhur e po përgatitet të ndahet për oligarkët e kryeministrit njësoj siç është ndarë edhe hapsira e bregdetit prej Palasës e më poshtë në Jug.

Por, mbi çdo gjë tjetër, Edi Rama është edhe gënjeshtari më i madh që është tallur me Vlorën me të gjithë cinizmin e vet, që prej premtimit se do t’i siguronte ujë të pijshëm 24 orë në ditë, e me rradhë në morinë e pafund të mashtimeve, si ai me aeroportin që do të duhej të përurohej në këto ditë të fundvitit 2020 e deri tek largimi i shumë shërbimeve e zyrave si ato të arsimit, energjisë elektrike etj. të cilat qytetarët e Vlorës duhet të shkojnë t’i gjejnë në Fier!

Ndaj, zgjedhjet e 25 prillit nuk janë vetëm një mundësi që qytetarët të zgjedhin përfaqësuesit e tyre në Kuvendin e Shqipërisë, por edhe shansi që të vlonjatët të shpëtojnë një herë e mirë prej shushunjave të pushtetit në të gjitha nivelet e qeverisjes në Vlorë dhe zgjedhës korruptive të Edi Ramës, portretin e të cilit e gjejmë të plotë në vargjet e Ali Asllanit:

“Shitet vendi për para,

Me para e për para,

Bëhet burri telendi,

Dy para një maskara,

Para hasmit lepe – peqe,

Para zërit te atdheut,

Hundë e tyre shtate sqepe!”

SHKARKO APP