Shkarkimet e padrejta në drejtësi, Berisha: Sistemi në kolaps, sapo Strasburgu të rrëzojë vetingun

Që prej fillimit të proçesit të Vettingut për prokurorët dhe gjyqtarët janë bërë afro 4 mijë e 200 denoncime nga qytetarët. Ato merren në shqyrtim nga organet e Vetting dhe nëse ka prova dhe fakte bindëse për prokurorët dhe gjyqtarët e denoncuar këto ndikojnë në marrjen e vendimeve për ta, gjatë rivlerësimit, i cili bazohet në kriterin e pasurisë, të pastërtisë së figurës dhe kriterin profesional.

Por për ish-kryeministrin Sali Berisha, ata që vlerësojnë reformën në drejtësi vetëm nga vetting-u që ka dy anë të padiskutueshme, sipas tij: ka anën që nxjerr nga sistemi njerëz, dhe anën që bën gjahun e shtrigave për llogari të qeverisë.

Në këtë kontekst, Berisha thotë se ky Vetting që po bëhet thyen parimet universale, thyen parimet e mishëruara në Kartën Europiane të të Drejtave të Njeriut.

“Ne nuk kemi qenë kundër reformës. Ne e shpëtuam reformën. Ata që vlerësojnë reformën vetëm nga vetting-u që ka dy anë të padiskutueshme. Ka anën që nxjerr nga sistemi njerëz. Dhe anën që bën gjahun e shtrigave për llogari të qeverisë në mënyrë të padiskutueshme. Por ka një gjë themelore. Ky Vetting që bëhet thyen parimet universale, thyen parimet e mishëruara në Kartën Europiane të të Drejtave të Njeriut”- shprehet Sali Berisha- ish-kryeministër.

Në Gjykatën e Strazburgut mjaft prokurorë dhe gjyqtarë të shkarkuar nga Vetting kanë depozituar padi ndaj shtetit shqiptar. Kjo gjykatë ka gjetur në shkelje të konventës së të drejtave të njeriut edhe shtete të mëdha si Franca Anglia, por në rastin e Shqipërisë rreziku lidhet me besimin ndaj Vetting-ut.

“Sot Gjykata e Strasburgut ka shtruar pyetje asgjësuese për reformën. Sepse dënohen në një proçes të pandershëm. Këta i kanë lejuar vetes që të jenë vetë hetues edhe vetë gjykatës. Kjo formë nuk ekziston. Kjo do të çojë në kolaps, sapo Strasburgu të japë vendimet e para për proçedurat staliniste”- thotë Sali Berisha- ish-kryeministër.

/Marrë nga “Zëri i Amerikës”

SHKARKO APP