Shkarkimi i kreut të ujësjellësit, Rami: Nuk ka konflikt politik

Kryetarja e Bashkisë së Gjirokastrës, Zamira Rami ka sqaruar pozicionin e institucionit që ajo drejton lidhur me ndryshmet në administrimin Ujësjellës Kanalizimeve. Rami shpjegon se largimi nga detyra i ish-drejtorit Dashamir Qeli lidhet me performancën e këtij institucioni dhe nuk ka të bëjë me marrëdhëniet e koalicionit PS-LSI. “Dua të theksoj se pavarësisht interpretimeve, vendimi për largimin nga detyra e ish- administratorit nuk ka asnjë ngjyrim politik dhe aq më pak përplasje brenda koalicionit qeverisës në pushtetin qendror e vendor PS- LSI”,- shprehet Rami në deklaratën e saj.

Deklarata e Kryebashkiakes, Rami

“Bashkia Gjirokastër, institucioni në të cilin kam privilegjin të shërbej, në gjithë aktivitetin e saj të përditshëm, ka patur dhe do të ketë një qëllim të vetëm; të jetë sa më pranë komunitetit, për t’i dhënë zgjidhjen më të shpejtë çdo problemi që ka.

Në funksion të përmbushjes së këtij detyrimi madhor ndaj banorëve që na besuan e vazhdojnë të jenë mbështetësit tanë kryesorë, ky institucion do të ushtrojë autoritetin e tij të plotë, të përcaktuar me ligj.

Gjatë 8 muajve të detyrës sime si kryetare e bashkisë Gjirokastër, për fat të keq kam pasur mungesë të plotë bashkëpunimi me ish- administratorin e Ujësjellës- Kanalizime SH.A.

Megjithëse bashkia ishte aksionerja kryesore e këtij institucioni dhe tashmë e vetmja aksionere, në asnjë moment ish- administratori nuk ka dhënë informacion në lidhje me ecurinë e Ujësjellës- Kanalizime, një nga detyrat e tij funksionale.

Pavarësisht kërkesave dhe shkresave të vazhdueshme të drejtuara nga Bashkia për të organizuar mbledhjen e Këshillit Mbikqyrës të Ujësjellës- Kanalizime Sh.A, ky këshill në 8 muaj nuk u mblodh asnjëherë të vetme për të diskutuar rreth gjithë problematikave jo të vogla, vetëm për shkak të refuzimit të ish- administratorit. Auditi i bashkisë Gjirokastër i dërguar zyrtarisht për të kryer auditimin e ndërmarrjes Ujësjellës- Kanalizime SH.A është nxjerrë jashtë nga ish- administratori dhe nuk është lejuar të kryejë detyrën e vet institucionale.

Për më tepër, ditën e hënë, datë 11 prill 2016, megjithëse ishin njoftuar zyrtarisht për prezantimin e administratorit të ri, autoriteti i Kryetares së Bashkisë nuk është respektuar me vetëdije dhe arrogancë. Dhe kur kryetares së bashkisë i mbyllet dera në këtë institucion, imagjinoni se çfarë ndodh me qytetarët e thjeshtë.

Në ceremoninë e prezantimit kanë qenë të ftuara të gjitha mediat, locale e qendrore, cka tregon transparencë të plotë nga ana e bashkisë dhe pavarësisht keqinterpretimeve, Bashkia Gjirokastër është e hapur dhe nuk ka asgjë për të fshehur, sepse vepron vetëm në bazë të ligjit.

Uji i pijshëm është një nevojë bazike dhe si i tillë, menaxhimi i një institucioni si Ujësjellës- Kanalizime Sh.A, që kujdeset drejtpërdrejt për furnizimin e komunitetit me ujë dhe mirëmbajtjen e rrjetit të kanalizimeve nuk mund t’u lihet në dorë individëve që e trajtojnë si pronë të tyre. Po kështu, nuk mund t’i lihet në menaxhim një administratori që qëndron indiferent dhe tregon papërgjegjshmëri ndaj shqetësimeve të komunitetit.

Ky është një standart që Bashkia Gjirokastër nuk e pranon. Për këtë institucion kjo është e patolerueshme, sepse komuniteti është dhe do të mbetet prioriteti ynë madhor.

Mbi bazën e këtij detyrimi, Bashkia ushtroi autoritetin e saj, të përcaktuar me ligj, si aksionerja e vetme e ndërmarrjes Ujësjellës- Kanalizime Sh.A, për zëvendësimin e administratorit, veprim për të cilin kam marrë dhjetëra e dhjetëra falenderime nga banorët.

Dua të theksoj se pavarësisht interpretimeve, vendimi për largimin nga detyra e ish- administratorit nuk ka asnjë ngjyrim politik dhe aq më pak përplasje brenda koalicionit qeverisës në pushtetin qendror e vendor PS- LSI.

Uji është një nevojë bazike si për socialistët ashtu edhe për ata të Lëvizjes Socialiste për Integrim, si për të majtët ashtu edhe për të djathtët. Bashkia e Gjirokastrës promovon profesionalizmin dhe mirë-menaxhimin ndaj jemi të bindur që Ndërmarrja Ujësjellës- Kanalizime Sh.A do menaxhohet shumë më mirë në të ardhmen.

Administratori i ri është anëtar i këshillit Bashkiak dhe përfaqëson Partinë Socialiste dhe u përzgjodh në këtë detyrë si një njeri që përmbush gjithë pritshmëritë për ta rikthyer Ujësjellës- Kanalizime Sh.A në institucion të qytetarëve dhe pranë çdo problemi të tyre.

Vendimi i bazuar në ligj, për zëvendësimin e administratorit të ndërmarrjes Ujësjellës- Kanalizime do t’u shërbejë vetëm banorëve, të cilët shumë shpejt do të shohin ndryshime reale në këtë sektor. Jemi të bindur se ky vendim nuk ka të bëjë me askënd prej atyre që duan të duken të viktimizuar, apo që tentojnë ti shtojnë vlera vetes në aksione të dështuara politike.

Bashkia e Gjirokastrës është në shërbimin tuaj! Ky nuk është një slogan politik, e as elektoral.

Kjo është shtysa jonë dhe qëllimi për të cilin punojmë cdo ditë!

Ju faleminderit!”

SHKARKO APP