Shkarkimi i Muçit, nga sulmi i Braçes te banda e Lushnjes

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, vendosi këtë të enjte për ta shkarkuar nga detyra si prokuror, Besnik Muçin. Ky i fundit tha se nuk e njeh si vendim dhe se vijon të jetë anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Sipas Muçit, KPA duhet të ndalonte procesin pasi ai u zgjodh nga Presidenti  Ilir Meta, anëtar i Gjykatës Kushtetuese sepse në atë moment humbi statusin e prokurorit.

 

Emri i Muçit është bërë pjesë e sulmeve nga eksponentë të lartë të mazhorancës. Zv/kryeministri, Erion Braçe deklaroi se emërimi i Muçit në Kushtetuese ishte një fakt ulëritës. ”Për gjykatësin Besnik Muçi, ulëret fakti se presidenti e emëroi në detyrën e lartë, pa përfunduar plotësisht procesin e VETINGUT! Kaq deri tani i thotë të gjitha”,tha Braçe.

Në një prononcim për mediat, Muçi e mbrojti detyrën e tij si prokuror përpara anëtarëve të vetingut, duke thënë se ka hetuar disa prej bandave më të rrezikshme në vend, mes tyre edhe ”Bandën e Lushnjes”. ”Në Prokurorinë e Krimeve të Rënda kam hetuar çështje të bandave kriminale, të gjitha kategoritë e krimeve, ku spikat “Banda e Lushnjës”, “Banda e vjedhjes së kasafortave” dhe “Banda e babagjyshëve”. Kemi hetuar së bashkë me policinë në lidhje me trafikun e narkotikëve. Kam hetuar vrasës me pagesë, “Banda e tritolit”, “Banda e Tafilit”, tha Muçi.

Opozita e ka akuzuar vazhdimisht Braçen për lidhje me ”Bandën e Lushnjës”. ”Kur Braçe vë dorën në zemër për ligjin, kujtohem që ky ka miratuar koncesionet e klientëve të Edi Ramës. Por më shumë argëtohem, kur shërbëtori i Bandës së Lushnjës, na flet për burgun”, shkruante nënkryetari i PD, Edi Paloka.

SHKARKO APP