Shkatërrimi i ISIS, Xhaçka në Romë: Shqipëria e ka prioritet luftën ndaj ekstremizmit të dhunshëm

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, mori pjesë në takimin e Ministrave të Jashtëm të Koalicionit Global për shkatërrimin e ISIS (D-ISIS), që u mbajt sot në Romë, nën bashkë-kryesimin e Departamentit Amerikan të Shtetit dhe Ministrisë së Jashtme të Italisë.

Përfaqësues të lartë të 73 vendeve anëtare në Koalicion shprehën angazhim të mëtejshëm, që, në bashkëpunim të ngushtë me Kombet e Bashkuara dhe me organizata e partnerë të tjerë ndërkombëtarë, të vazhdojnë rritjen e kontributeve humanitare dhe mbështetjen financiare, me qëllim forcimin e stabilitetit dhe sigurisë në zonat e çliruara dhe parandalimit të ringjalljes së ISIS.

Në ndërhyrjen e saj në ministerial, Ministrja Xhaçka evidentoi rolin, angazhimin dhe kontributin pro aktiv që Shqipëria jep në kuadër të forcimit të paqes dhe sigurisë në botë si dhe nxitjes së bashkëpunimit dhe zhvillimit.

“Vendi ynë e ka luftën ekstremizmit të dhunshëm një ndër prioritetet tona gjatë anëtarësisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për periudhën 2022-2023”, tha ministrja Xhaçka.

Po ashtu, ministrja e Jashtme rikonfirmoi mbështetjen dhe angazhimin e Shqipërisë në rindërtimin e paqes në zonat e konfliktit.

Në deklaratën e përbashkët të miratuar gjatë ditës së sotme, u bëhet thirrje partnerëve në koalicion që të jenë vigjilentë e të punojnë së bashku ndaj çdo forme të shfaqjes së rrezikut terrorist, në çdo rajon të botës, në zbatim të plotë të së drejtës ndërkombëtare.

SHKARKO APP