”Shkela rregullat e shtetit”, Andi Bejtja: Sikur për një minutë në Shqipëri të aplikohej standarti anglez

Nga: Andi Bejtja

Nëqoftëse ka diçka që çdo zyrtar shqiptar nga më i vogli e deri tek Ministri, Kryeministri e Presidenti, duhet t’i bëjnë një kornizë dhe ta varin në mur është letra e dorëheqjes së Mininistres së Brendshme të Anglisë, Suella Braverman: Sot i çova një dokument zyrtar nëpërmjet emailit privat (jo atij zyrtar) një kolegu parlamentar, shkela rregullat e shtetit. Gabova, jap dorëheqjen.

Vetvetiu të lind pyetja kush do mbetej akoma në karrige në këtë vend me këtë standart anglez? Do ngelej Kryeministri që pas daljes të të dhënave personale të qindra mijërave shqiptarëve, jo vetëm nuk ul kokën po lavdëron me mburrje dhe i fut në sqetull patronazhistët.

Do ngelej Kryeministri që i thotë policëve gjatë fushatës elektorale, pas punës hiqni kapelet dhe punoni të mblidhni vota për partinë. Do ngelin ministrat që dalin në përgjime duke mbledhur vota me lekë për Partinë. Do ngelin drejtorët e Policisë apo Ministrat e Rendit kur u ngelin në dorë të rinj të pafajshëm.

Do ngelin Ministrat, apo kryetarët e Bashkive që mbi 90 përqind të tendarave i bëjnë sekret. Do ngelin ata që nuk botojnë dekretet e Presidentit në Fletoret Zyrtare.

T’i biem shkurt, sikur ky standart anglez të implemntohej qoftë dhe një minutë të vetme këtu, Shqipëria do të mbetej në sekondë, pa Presidencë, Kryeministri, Ministri, Bashki, Parlament, pa institucione komplet, rrezik do të mbesnin vetëm institucionet fetare. Pikërisht sepse nuk kemi standarte sa një të mijtën të përafërt me këtë ikën shqiptarët dhe jo këta.

SHKARKO APP