Shkëlqim Hajdari: Ata që kanë shkelur besimin e shqiptarëve të përgatiten se do japin llogari!

Shkëlqim Hajdari, ish-kryetari i shoqatës së prokurorëve, i cili momentalisht mban postin e Kryeinspektorit të Përgjithshëm, në një intervistë në Report Tv deklaron se operacionet e fundit të SPAK janë tregues se këtë herë po ndryshon shumëçka në lidhje me kulturën e ndëshkimit në vend. Sipas tij kushdo që ka shpërdoruar detyrën të përgatitet se shumë shpejt do të përballet me drejtësinë.

“Operacionet e SPAK duhet marrë shumë seriozisht dhe me qetësi nga ata që të gjithë ata që kanë shkelur detyrën duhet të përgatiten se do të përballen me drejtësisë. Është absokutisht ndryshe këtë herë nga radhët e tjera. Zyrtarë publikë kanë bërë shkelje sheshit, në mënyrën më qesharake. Kështu që ia kanë lehtësuar punën SPAK, e vetmja gjë që duhet të bëjë ky institucion është të mos shikojë emrat por ccështje. T’i kthejmë besimin shqiptarëve”, u shpreh fillimisht ai.

Më tej kryeinspektori i përgjithshëm ka folur edhe për operacionet e fundit të autoriteteve për vendosjen e kontrollit mbi të gjithë territorin e vendit. Ai është shprehur se i ka paralajmëruar të gjithë inspektorët që nuk kryejnë detyrën se do të shkojnë në ndjekje penale.

“Presim rezultatet e para ndaj keqpërdoruesve të pyjeve. Unë i kam paralajmëruar inspektorët që do të shkojnë deri në ndjekje penale. Duhet të kenë njerëz të identifikuar që prishin territorin, ndotin ambientin. Ne duam që çdo ditë, çdo natë, të kemi informacione dhe të parandalojmë sa më shumë të jetë e mundur. Dhe kjo është e mundur sepse ndërtimi pa leje nuk është kuti shkrepëse por një gjë që ndodh në sy të publikut. Janë toleruar ndërtimet pa leje nga shumë institucione, herë pas herë ka pasur edhe korrupsion, të cilin tashmë ne jemi të vendosur që çdo njeri që e ngatërron punën e inspektorit të shkojë në dyert e drejtësisë. Ne kemi një aleat të madh, publikun shqiptar i cili denoncon çdo ditë ndërtimet pa leje dhe prerjen e pyjeve”, tha Shkëlqim Hajdari.

Ndërsa lidhur me operacionin e fundit në Portin e Durrësit ku u kapën 12 kg heroinë në një kontejner që vinte nga Ekuadori, Hajdari thortë se goditjet e njëpasnjëshme tregojnë suksesin e policisë shqiptare.

“Ky rast nuk është si trafiku i kanabisit ku ne jemi vend burimor dhe ne jemi vend përgjegjës. Këtu jemi në krim ndërkombëtar, ky njëra prej rrugëve është territori shqiptar. Kapja tregon që Shqipëria tashmë është vend i besueshëm në organizmat ndërkombëtar. Jam i bindur që është finalizim i operacionit ku nuk merr pjesë vetëm policia shqiptare. Kjo është goditja e tretë brenda pak kohëve. E rëndësishme është që është rritur fuqia policia bashkëpunuese e policisë dhe prokurorisë shqiptare”, u shpreh më tej në intervistën për Report Tv Shkëlqim Hajdari.

 

SHKARKO APP