Shkodra mes trashëgimisë së dembelëve politikë dhe një shansi për normalitet!
Besi Bekteshi
Trashëgimia 33 vjeçare po tronditet në këto dy vitet e fundit!
Shkodra, qytet me një identitet të theksuar historik dhe kulturor, shpesh ka qenë e burgosur jo nga mungesa e vlerave, por nga dominimi i antivlerave. Për më shumë se tri dekada, ky qytet u bë skenë eksperimentesh politike ku kryqëzoheshin trashëgimia familjare në zyra, militantizmi partiak dhe një administrim i ngulfatur nga klientelizmi. Në vend që të ishte shembull i meritokracisë, Shkodra u bë peng i dembelhanes politike dhe intrigës mediokre, një atmosferë ku kush punonte shihej si “i huaj”, ndërsa ai që dinte të “rrotullonte karriget” pa prodhuar asgjë, përkrahej si njeri i “besueshëm”.
Administrata si pasqyrë e një partie
Partia Demokratike, që për një kohë të gjatë mbajti në kontroll bashkinë dhe institucionet vendore në Shkodër, jo rrallë u soll me frymën e një partie shtet. Nuk ishte thjesht pushteti lokal ai që ngjante me një seli partie, por vetë fryma që mbizotëronte brenda institucioneve: ndarja në “tanët dhe atyre”, në “demokratë të pastër” dhe “komunistë të qelbur”. Një trashëgimi gjuhësore e tranzicionit të kalbur, ku kundërshtari politik nuk shihej si pjesë e një gare idesh, por si armik që duhej përjashtuar e linçuar, qoftë me fjalë, qoftë me mospranim në punë apo komunitet.
Për dekada të tëra, Bashkia e Shkodrës nuk ishte vend i qytetarëve, por i militantëve. Ajo nuk ishte hapësirë për shërbime, por për rehati politike. Disa prej tyre kishin më shumë vite në zyra sesa eksperiencë reale pune, dhe shpesh nuk përfaqësonin as Shkodrën reale, por thjesht një version të mbyllur të saj, të filtruar përmes interesave të ngushta partiake apo klanore.
Kriza e vlerave dhe “dënimi” i punës
Në një qytet ku intrigantët dhe të papunët ambiciozë kanë fituar hapësirë në dëm të njerëzve të ndershëm dhe punëtorë, është e kuptueshme pse vetë puna është stigmatizuar. Njeriu që punon, që nuk ka kohë për thashetheme politike e për lojëra pushteti, është parë si “naiv”, si i “pashkollë” në artin e mbijetesës politike. Dhe kur një sistem i tillë zgjat për dekada, ai kthehet në kulturë. Shkodra, me gjithë krenarinë e saj, nuk i shpëtoi kësaj sëmundjeje.
Sot, shumë nga të punësuarit në Bashki janë pikërisht ata që u emëruan nga ish-pushteti i PD-së. Kanë ndryshuar kryetarët, ka ndryshuar ngjyra politike në majë, por baza mbeti e njëjtë. Në vend që të përfaqësonin vazhdimësinë institucionale, shpesh kanë qenë mbartës të së shkuarës ideologjike dhe frymës përjashtuese.
Ndryshimi i modelit: Rasti i Beci-t
Një nga ndryshimet më të komentuara së fundmi është pothuaj dyfishimi i pagave në fillime nga kryetari aktual i bashkisë, Benet Beci. Ky akt, i parë nga disa si një përpjekje për të motivuar administratën, nga të tjerë u lexua si shpërblim për një sistem të kalbur që ende nuk është çrrënjosur. Por në të vërtetë, për herë të parë, po shohim një qasje më institucionale, më pak revanshiste dhe më shumë përfshirëse. Punonjësit nuk janë ndarë më në “të tanët” dhe “të atyre”, siç ndodhte në kohën kur partia sundonte çdo vendim në Bashki.
Disa prej këtyre punonjësve përpiqen të jenë ndryshe, të përshtaten me një frymë më bashkëkohore dhe profesionale. Disa të tjerë e shohin veten si “të persekutuar”, ndonëse asnjëherë nuk janë përndjekur, fyer apo përjashtuar nga institucionet. Ironia qëndron në faktin se ata që dikur i quanin të tjerët “komunistë të qelbur”, sot ndihen të fyer nëse u kujton dikush se vijnë nga një model klientelist. Por realiteti nuk ndryshohet me ndjesi, ndryshohet me reflektim dhe me punë të ndershme.
Një bashki më normale – një hap përpara
Për herë të parë pas shumë kohësh, Bashkia e Shkodrës po jep shenja normalizimi. Jo në kuptimin perfekt, por në atë më të rëndësishmin: drejtësi administrative dhe profesionalizëm në shërbim. Po, në tentativë dhe vijueshmëri. Është një proces i ngadaltë, por i domosdoshëm. Duhen vite për të çrrënjosur atë që u ndërtua për dekada me themele të kalbura. Duhen po aq shumë qytetarë sa burokratë të rinj që besojnë më shumë në shërbimin sesa në bindjen politike.
Në vend që të ndjekim rrugën e përçarjes që helmoi jo vetëm Partinë Demokratike, por dhe vetë strukturën sociale të qytetit, Shkodra ka nevojë të rizbulojë vlerat e punës, të përulësisë, të shërbimit ndaj komunitetit, të meritës dhe të qytetarisë. Nuk ka demokraci pa administratë të pavarur dhe nuk ka qytetari pa përfshirje gjithëpërfshirëse dhe respekt për punën.
Përfundim
Shkodra mund të jetë mësuar për vite me “dembelhanet” e intrigave, por nuk është e dënuar prej tyre. Ky qytet i trashëgimisë, i letrave, i mendimit të lirë dhe i identitetit të fortë, ka fuqinë të shkëputet nga një e kaluar që e pengoi të ecë përpara. Mjafton që të pranojë ata që punojnë, edhe kur nuk bëjnë zhurmë, edhe kur nuk janë pjesë e ndonjë klani, sepse vetëm përmes tyre Shkodra mund të ndërtojë një administratë qytetare dhe një jetë publike më të drejtë. Vetëm atëherë mund të themi se ky qytet ka filluar të shërohet.
KOHA JONË SONDAZH

