Shkodra “minë me sahat”, 26 persona i nënshtrohen testit për COVID-19. Spahia: Situata, nga mungesa e testimeve
Gjatë ditës së sotme në Shkodër janë marrë 26 mostra për tu analizuar për koronavirus.
14 analiza u morën në një familje në lagjen Dracin, që dyshohet se ka lidhje me rastet e mëparshme me covid-19. Mes personave që janë analizuar sot në këtë familje është edhe një infermier, i cili ka ushtruar shërbimin e tij gjatë periudhës kur ka qenë e sëmurë e ndjera, pjesëtare e familjes ne lagjen Draçin.
Hetimi epidemiologjik ka vijuar edhe ne familjen e Lagjes Kiras, ku janë marrë edhe 4 mostra të tjera.
Ne familjen tjetër në Lagjen Dobrac u morrën edhe 7 mostra, kontakte te ngushta familjare.
Ndërkohë sot është vlerësuar edhe një rast i veçuar në Lagjen Kiras që nuk ka lidhje me familjen e infektuar.
Gjithashtu sot janë shtruar në Tiranë një paciente tjetër, e cila ka dale pozitiv.
Shkodra është kthyer në një vatër të koronavirusit dhe për opozitën kjo ka ndodhur si pasojë e mungesës së testimeve. Ish-deputeti i PD, Bardh Spahia tha në një lidhje për Ora News se nëse do të ishin bërë testime situata në Shkodër do të ishte ndryshe.
Bardh Spahia: Fal mungesës së kësaj përgjegjësia apo strategjie për të bërë gjënë me të mirë të mundshme në një rast epidemie të tillë. Është mungesa e testimit që solli edhe atë gjendje skandaloze në Shkodër. Imagjinoni sikur të ishin bërë testime para një muaj. Këta persona të prekur nuk dolën nga hiçi, është e qartë që ai virus është sjellë në popullatën e Shkodrës të paktën para disa javësh.
Spahia tha se në Shkodër kanë hyrë mbi 3600 persona, që kur Italia mbylli disa rajone dhe sipas tij është e patolerueshme që këtyre personave nuk i janë bërë testime.
Bardh Spahia: E dini ju që nga momenti i marrjes së vendimit për mbylljen e disa rajoneve në Itali në Shkodër kanë hyrë mbi 3600 persona. Është e pafalshme, që këta persona as nuk janë kontaktuar, as nuk janë testuar,a s nuk janë ndjekur dhe as nuk janë studiuar si raste nga ndonjë personel shëndetësor.
Spahia tha se Shqipëria ka reaguar me një vonesë të jashtëzakonshme duke humbur të paktën një muaj e gjysmë nga momenti që duhet të kishte reaguar.
/Ora News