Shkodra përjeton emocionet e Maratonës së parë, një traditë e re sportive nis rrugëtimin në qytetin e legjendarëve

Nga Albert Vataj

Shkodra, qyteti i traditave të lashta kulturore e sportive, ka hapur sot një kapitull të ri në historinë e saj moderne: Maratonën e parë. Në rrugët e saj të mbushura me energji, frymë bashkimi dhe garë të shëndetshme, u shënua një ditë që nuk ishte thjesht aktivitet sportiv, por një festë qytetare. Qyteti që ka lindur kampionë, që ka qenë djep i pasionit për sportin dhe krenari kombëtare, tashmë vendos gurin e parë të një tradite të re që synon të lidhë brezat, të frymëzojë shëndet e vitalitet, dhe të afirmojë Shkodrën si një pol sportiv e kulturor në nivel kombëtar dhe europian.

Çdo element i ri që i shtohet Shkodrës nuk është thjesht një gur në mozaikun e përditshmërisë së saj, por një fije e re në pëlhurën e gjallë të kujtesës dhe identitetit qytetar. Ky qytet i lashtë, që ka ditur të bartë mbi supe historinë, kulturën dhe krenarinë e tij, sot po gjallërohet dita-ditës me iniciativa, me gjeste dhe me prani të reja që i japin jetë, frymë dhe perspektivë. Shkodra, më shumë se çdo vend tjetër, e ka të ngulitur në ADN-në e saj aftësinë për të qenë gjithnjë e para në zhvillime, e hapur ndaj të resë, por gjithmonë e lidhur me rrënjët që e bëjnë të pazëvendësueshme.

Swiss Digital Desktop Reklama

Kryebashkiaku Benet Beci ka ndarë përmes një fotogalerie në rrjetet sociale emocionet e ditës së sotme, ku qyteti i Shkodrës u shndërrua në një skenë të gjallë të energjisë sportive dhe bashkëpunimit qytetar. “Shkodra sot përjeton emocionet e ‘Maratonës së Shkodrës’. Një garë që zhvillohet për herë të parë dhe që do të kthehet në traditë për qytetin tonë,” shkruan Beci, duke i dhënë jehonë këtij aktiviteti historik.
Maratona e Shkodrës, e zhvilluar për herë të parë këtë vit, është pjesë e kalendarit të veprimtarive të titullit “Shkodra, Qyteti Europian i Sportit 2025”. Aktiviteti përfshiu tre kategori garimi:
2.5 km për moshat 10–15 vjeç
5 km për moshat 16–19 vjeç
10 km për pjesëmarrësit mbi 20 vjeç
Starti dhe finishi u vendosën në sheshin përpara Bashkisë Shkodër, duke e kthyer qendrën e qytetit në një hapësirë festive ku sportdashësit, familjet dhe vizitorët përjetuan një atmosferë të jashtëzakonshme.
Ky aktivitet nuk është thjesht një garë atletike, por një thirrje për një mënyrë jetese më aktive, për solidaritet dhe për përfshirje sociale. Me pjesëmarrje nga të gjitha moshat dhe shtresat, Maratona e Shkodrës u bë një simbol i frymës qytetare dhe i përkushtimit ndaj vlerave të shëndetit, sportit dhe bashkëjetesës.
Kryebashkiaku Beci ka theksuar se kjo maratonë do të kthehet në një traditë vjetore, duke e pozicionuar Shkodrën si një qendër të rëndësishme të sportit në rajon dhe më gjerë.

Swiss Digital Mobile Reklama

Sot Shkodra po pasurohet çdo ditë me elemente që i japin gjallëri jetës së saj qytetare, duke e kthyer në atë Shkodrën e madhe të traditave, Shkodrën e paresive në çdo zhvillim. Ajo ka dëshmuar me vepra dhe vlera se është dhe do të mbetet një kryeqendër e jetës së gjallë, e lindjes së magjive dhe e gjenive të artit, sportit, krijimit dhe sprovave të kurajshme të lavdisë. Në këtë rrugë, Shkodra nuk thjesht e ruan trashëgiminë e saj, por e ringjall atë, duke e bërë të tashmen një dëshmi dhe të ardhmen një premtim të pashuar.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Pas vendimit të gjykatës kushtetuese a duhet liruar Erion Veliaj dhe të gjykohet në gjëndje të lirë?