Shkolla e re 9-vjeçare ”Xhezmi Delli” me kushte moderne për 350 nxënës, Veliaj: Do rindërtojmë edhe 10 shkolla të tjera

Me nisjen e vitit të ri shkollor, një tjetër shkollë e rindërtuar me kushte moderne çeli dyert për 350 nxënësit e saj. Shkolla 9-vjeçare “Xhezmi Delli”, në Njësinë 3 është rindërtuar më e fortë, më e bukur dhe me cilësi më të mirë se shkolla e vjetër. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i shoqëruar nga deputetja e PS, Klotilda Ferhati inspektuan nga afër shkollën e re dhe uruan nxënësit për vitin e ri shkollor.

“Sa herë nis një punë e madhe e bashkisë në qytet, plas ajo histeria se këtu do bëjnë pallat. Ne e pranojmë atë akuzë sepse kemi bërë vërtet një pallat, një pallat për nxënësit. Shkolla me kondicioner nuk kisha parë ndonjëherë në Amerikë, jo në Shqipëri. Me ndriçim led, me ashensor me ‘çip’ për personat me aftësi ndryshe, me mësuese speciale, me parashkollor, me të gjitha kushtet e terrenet sportive. Dikur kjo ishte një shkollë në emergjencë, pa shkallë emergjence. Sot kemi shkallë emergjence dhe kemi një shkollë të nivelit evropian, me standarde të jashtëzakonshme. Jam vërtet krenar për këtë! Sot kemi shkuar ne 45 shkolla të reja”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë shtoi se kaq shumë shkolla nuk janë ndërtuar ndonjëherë në Tiranë. “Pavarësia e vërtetë vjen kur ne kemi pavarësi nga injoranca, nga padija. Këtë pavarësi na e jep vetëm shkolla. Një shkollë e mirë, si ‘Xhezmi Delli’, jam i sigurt se do të na japë pavarësi nga padija dhe varfëria. Shumë komunitete, kur kanë një fëmijë të shkëlqyer me mësime, që ecën përpara, e nxjerr edhe familjen e tij nga varfëria. Mezi pres që në mbi 300 nxënës që mësojnë këtu, të kemi mbi 300 histori suksese, dhe të jemi krenarë se ndërtuam një super shkollë për çunat dhe gocat këtu”, u shpreh ai.

45 shkollat e reja të Tiranës, nënvizoi Veliaj, janë 45 vatra dije dhe arsimi, por ndihmojnë edhe në rritjen e vlerës së pronës. “Kur erdhëm këtu, shkolla ishte më keq se çdo gjë përreth. Hidhini një sy përreth tani. Shkolla është më mirë se gjithçka tjetër përreth. Gjasat janë që modelin e shkollës do fillojnë ta ndjekin të tjerët, do vijnë te njësia administrative, do kërkojnë ta veshin pallatin me kapotë, një shtëpi do të shitet më shumë. Shkolla, cilësia, ambienti, ndërtesa ka të bëjë shumë edhe në çmimin e pronave përreth. Shitet më shumë një shtëpi që ka një shkollë afër, me reputacion dhe cilësi në ndërtim”, tha Veliaj.

Ai tha se ja vlen çdo sherr për aq kohë sa fokusi është te e ardhmja, që janë fëmijët e qytetit. “Më pyesin, a ia vlejnë gjithë këto sherre, përgjigjja është: Po ia vlen! Që të mos turpërohemi për gjeneratat që do të vijnë. Se kjo nuk është punë për zgjedhjet e ardhshme, është punë për gjeneratën e ardhshme. Që të mos turpërohemi për gjeneratat e ardhshme, duhet t’i bëjmë betejat sot, t’i fitojmë betejat sot, t’i mbarojmë punët sot dhe të kalojmë me nder stafetën tek superbrezi i çunave dhe i gocave të “Xhezmi Dellit” dhe të të gjithë Tiranës. Nuk do ndalemi te 45 shkolla të reja, do ndërtojmë të tjera. Duam të ndërtojmë edhe 10 shkolla. Do të ribëhet shkolla “Edit Durham”, po mbarojmë planifikimin për të ndërtuar “Petro Nini Luarasin” e ri. Deri dje “Xhezmi Delli” dhe shkollat e tjera ishin inferiore me ato të bllokut, tani ato të bllokut duken vjetërsira, se janë ndërtuar në vitet ’60-’70, sigurisht me më të mirën që kishte ajo kohë e varfërisë dhe rrethanave primitive, dhe ja ku jemi sot, në një situatë ku shkollat e ish Bllokut duan të jenë si shkollat e tjera të periferisë së Tiranës. Kemi hedhur në prokurim shkollat e para te lagjja “Rilindja”, apo te Unaza e Madhe. Mezi pres që deri në fund të këtij mandati të kemi mbaruar mbi 50 shkolla në Tiranë dhe t’i themi gjeneratës që vjen: Nuk ju turpëruam, e mbajtëm fjalën, e çuam premtimin deri në fund!”, e mbylli Veliaj.

SHKARKO APP