Shkollat nga jo vatër e Covid-19, kalojnë online/Basha: Nuk shpëtohen jetët me vendime kuturu
Kreu i PD-së, Lulzim Basha vijon akuzat ndaj qeverisë për keqmenaxhimin e situatës së Covid-19 në vend. Ai përsëriti atë që më parë e kishte shkruar në profilin e tij në Twitter, se qeveria atë që e thotë dje, nuk e thotë sot duke iu referuar vendimit për alternimin e mësimit në shkolla.
“Ditën e djeshme Rama deklaroi se shkollat nuk janë vatra infeksioni. Ndërsa deklaroi për mbylljen e pjesshme të tyre. Për këdo që i ka dëgjuar këto deklarata në më pak se 24 orë, është e qartë që Rama ka dështuar me kontrollin ndaj pandemisë sepse tregon që nuk ka plan. Pa plan nuk e luftojmë dot pandeminë. Nuk mund të shpëtojmë jetë njerëzish me vendime kuturu. Një plan solid për luftën kundër pandemisë fillon me një numër serioz testimesh. Numri i testimeve duhet të jetë gjithmonë 10 fishi i të infektuarve. Nëse ke 700 të infektuar, nesër duhet të kesh 7000 testime. Duhet të pajisen të gjitha spitalet me mjetet e nevojshme. Nuk ka zgjidhje tjetër përveçse asaj që të vendos në funksion spitalet rajonale. Nëse do të ishin dëgjuar mendimet tona përpara 6 muajsh nuk do të ishim në këtë gjendje kolapsi që ndodhemi sot. Për të fshehur dështimin kemi arritur deri në fshehjen e numrit të viktimave, kjo nuk e fsheh fatkeqësinë. Mjafton të ecësh rrugës, njerëzit janë bërë për të folur me vete për shkak të vështirësive ekonomike dhe për shkak të sëmundjes”,-tha Basha.