Shkreli akuzon Bashën për 11 katëshin, reagon Bashkia: Shpifje

INUK paditi Bashën në prokurori, Bashkia bën kundërpadi

Bashkia e Tiranës ka reaguar ndaj akuzave të këshilltarit të kryeministrit Rama,Artan Shkreli, lidhur me lejen e dhënë nga Basha për objektin 11 katësh mes gjimnazit të Gjuhëve të Huaja “Asim Vokshi” dhe shtëpisë së fëmijës “Zyber Hallulli”.

Përmes një reagimi për mediat, Bashkia i referohet Shkrelit si “bashkë-arkitekti i betonizimit të Tiranës i shumë përdoruri sekser dhe i keqpërdoruri serial i ish-kryebashkiakut Rama, zuri vendin e dallëndyshes së korrupsionit përmbarues dhe krimeve të tjera ndaj qytetarëve, për të cilat po afron dita e gjykimit”.

Duke i konsideruar shpifje akuzat në drejtim të kryebashkiakut Basha, Bashkia thekson se keqqeverisja korruptive dhe klienteliste e Ramës e mori përgjigjen nga vetë qytetarët.

“Përgjigjen ndaj këtyre shpifjeve banale dhe faktet e plota Bashkia Tiranë i bëri publike dje. Ndaj sot, kjo karikaturë pseudointelektuale e Ramës dhe kohërave më të trishta të Tiranës meriton vetëm sentencën proverbiale që qytetarët e Tiranës i vunë si epitaf keqqeverisjes korruptive dhe klienteliste dhe masakrës urbane të Ramës. Edikaturisti, edikaturoi një edikaturë edikteristike”.

Gjatë ditës, Artan Shkreli, denoncoi sërish lejen e dhënë nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha për objektin 11 katësh. Sipas tij leja e dhënë nga Basha për ndërtesën në fjalë, nuk respekton asnjë kusht ligjor dhe se objekti në fjalë shkatërron trashëgiminë e Tiranës dhe errëson gjithë godinat përreth.

“Kjo është një tjetër vilë që humbet në kryeqytet, për t’i hapur rugë një godine 11 katëshe, në një zonë me sensibilitet të madh kulturor dhe social. Objekti nuk respekton asnjë aspekt legal, nuk respekton largësinë, dëmton kordonin arsimor të kësaj zone. Ky objekt është si një hu në shpinën e kësaj zone. Basha ka vrarë keq çdo lloj ekspertize në bashki dhe nuk ka asnjë specialisti për t’i thënë se kjo nuk bën për banorët e zonës.”

Reagimet vinë vetëm një ditë pasi Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit bëri kallëzim penal ndaj kreut të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha dhe kreut të INUV, Florenc Hoxha, për shpërdorim detyre.

SHKARKO APP