Shkrimtari amerikan: Ç’më tha Ramizi për Enverin, kur popullit i mbetej prasi

Shkrimtari amerikan, Fred Abrahams, në librin e tij ka rrëfyer një bisedë që ka zhvilluar me ish- udhëheqësin e fundit komunist, Ramiz Alinë. Biseda mes tyre është realizuar në vitin 2002 dhe ai tregon se si ushqeheshin udhëheqësit komunistë dhe populli në atë kohë.

 Abrahams thotë në librin e tij se, Ramiz Alia i ka thënë se nuk ishte si Enver Hoxha, ndërkohë që diktatori e kishte emëruar në parti me mirëbesim dhe e konsideronte si krahun e tij të djathtë. Shkrimtari amerikan thotë gjithashtu se Alia, gjatë bisedës me të, i kishte referuar ngjarjet e dhjetorit të vitit 1990, kur studentët kërkonin përmbysjen e sistemit komunist dhe ardhjen e pluralizmit. Abrahams thotë se Ramiz Alia me shumë krenari i pati thënë se ai nuk përdori dhunë dhe shtypje mbi studentët, duke lënë të kuptohet sërish se nuk ishte si Enver Hoxha.

“Ramiz Alia nuk ishte njeri i dhunshëm. Ai shmangu një protestë të dhunshme dhe të përgjakshme gjatë Lëvizjes Studentore të Dhjetorit. Në vitin 2002, Ramizi më tha se nuk ishte si Enver Hoxha. Unë nuk e përdora dhunën”, shkruan Abrahams. Ai flet edhe si ushqeheshin udhëheqësit, të cilët i kishin gjithë të mirat, ndërsa për popullin perimja më e disponueshme ishte prasi. “Projekti i parë i Alisë ishte në nder të mësuesit të tij. Statuja e Hoxhës qëndronte në Tiranë dhe në qytete të tjera. Në qendër të qytetit ishte shtëpia muzeale e mermertë e Enver Hoxhës.

Udhëheqësit merrnin mish me racion, djathë, gjalpë, vaj, etj, ndërsa shitësit që dilnin nga shtëpia që në orën 05:00 të mëngjesit, ktheheshin duarbosh. E vetmja perime që mund ta kishe pa vështirësi ishte prasi dhe u shndërrua në simbol të dëshpërimit shqiptar”, shkruan Abrahams. Pas vdekjes së Enverit, Alia kundërshtoi ndihmën që i ofroi Perëndimi, por për këtë u kritikua.

“Pas vdekjes së Enverit, Perëndimi u tregua i gatshëm të ndihmonte Shqipërinë, por Alia nuk pranoi. Anëtarët e Komitetit Qendror e kritikuan atë, por disa prej tyre e mbështetën. Ishte e papranueshme që një njeri i zgjedhur me kujdes nga diktatori në parti, të refuzonte në mënyrë të paturpshme ndihmën e Perëndimit”, rrëfen në libër shkrimtari amerikan.

SHKARKO APP