Shoqata ”Antipatrea” denoncon masakrën urbane, Meta: Sëbashku me UNESCO-n, do t’i japim Beratit shkëlqimin e merituar

Në Presidencë këtë të hënë kanë qenë të ftuar një përfaqësi e shoqatës ”Antipatrea”, ku Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, teksa ka vlerësuar mbrojtjen dhe promovimin që i bëhet Beratit, thotë se gjatë bisedës me drejtuesin e shoqatës, arkitektin e njohur Pavllo Shkarpa, ku i fundit ngriti shqetësimin mbi masakrën urbane që po ndodh në Berat.

Nga ana tjetër, kreu i shtetit thotë se së bashku me UNESCO-n, do të punojnë që t’i japin qytetit të një mbi një dritareve shkëlqimin e merituar, ku një nga propozimet e shoqatës është edhe ndërtimi i një Pallati Sporti, për të rinjtë e rejat e këtij qyteti, që sipas Presidentit, nuk kanë ende sot një qendër ku të ushtrojnë pasionet e tyre.

”Do të bëj çdo përpjekje, që në bashkëpunim me komunitetin dhe UNESCO-n, t’i japim me shumë dashuri Beratit shkëlqimin e merituar, për të moslejuar shpopullimin e tij dhe për t’i dhënë impulse të reja zhvillimi, si një qendër me potencial të jashtëzakonshëm për ekonominë dhe turizmin”,-shkruan Meta.

Swiss Digital Desktop Reklama

Postimi i plotë nga Presidenti Ilir Meta

Swiss Digital Mobile Reklama

Nga Mangalemi e Gorica dhe deri lart në kala, Berati i një mbi një dritareve, simbolizon një qendër të jashtëzakonshme të qytetërimit dhe civilizimit tonë, me një trashëgimi të pasur historike e kulturore, që duhet mbrojtur dhe promovuar më së miri. Për të diskutuar lidhur me mbrojtjen dhe promovimin e këtyre vlerave, prita sot me kërkesë të tyre, një përfaqësi të Shoqatës “Antipatrea”, me një kontribut të madh për përfshirjen e Beratit në UNESCO.

Më njohën me shqetësimet e drejta se, ky qytet me potencial të jashtëzakonshëm për zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë, po dëmtohet nga papërgjegjshmëria, korrupsioni dhe projektet e nxituara urbane, të pakonsultuara me komunitetin dhe që e kanë detyruar këtë shoqatë të nderuar, t’i drejtohet UNESCO-s. Nga drejtuesi i “Antipatrea”-s, arkitekti i njohur beratas, z.Pavllo Shkarpa m’u ngrit shqetësimi mbi masakrën urbane, që po ndodh në Berat, me dëmtimin e shumë lagjeve karakteristike të qytetit. Tepër i vlefshëm edhe propozimi i tij për ndërtimin e një Pallati Sporti, për të rinjtë e rejat e këtij qyteti, që nuk kanë ende sot një qendër ku të ushtrojnë pasionet e tyre.

Ndërsa inxhinieri i mirënjohur, z.Xhevahir Ngjeqari, më bëri prezent faktin e mosmarrjes në konsideratë nga Qeveria dhe pushteti vendor të sistemimit të lumit Osum, mbështetur mbi vlerësimet e akademikëve më të shquar të vendit, si dhe të mungesës së investimeve për shumë projekte rrugore, me rëndësi strategjike. I mbajta shënim të gjitha shqetësimet dhe sugjerimet e të pranishmëve, si dhe i garantova se jo vetëm ata, por i gjithë komuniteti i dashur i Beratit, do të më ketë në krah, për mbrojtjen dhe promovimin e vlerave më të mira të këtij qyteti.

Do të bëj çdo përpjekje, që në bashkëpunim me komunitetin dhe UNESCO-n, t’i japim me shumë dashuri Beratit shkëlqimin e merituar, për të moslejuar shpopullimin e tij dhe për t’i dhënë impulse të reja zhvillimi, si një qendër me potencial të jashtëzakonshëm për ekonominë dhe turizmin.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Si ishte viti 2025 për ju?